Nga Gëzim Saliu
Dy dite me pare u mbajt një mbledhje e qeverisë në vilën e Enverit, të cilin kryeministri e amplifikoi në publik si një zhvillim të pandërprerë 16-orësh ( a thua se vetë Rama dhe ministrat as nuk fjetën e as kryen nevojat personale përgjatë kësaj fashe orari të stërzgjatur).
E megjithatë përtej propagandës së kthyer në devizë të Rilindjes, ajo që ra më shumë në sy ishte deklarata përmbyllëse e kreut të qeverisë i cili në videon e publikuar në rrjete sociale dëgjohej tek e mbyllte takimin me frazën: “Do e bëjmë tërmet 2023-in”.
Nuk ka qytetar në Republikën e Shqipërisë, nëse ende mund ta emërtojmë të tillë pasi de facto kemi të bëjmë me një regjim autoritar, që nuk e kupton mesazhin e kryeministrit përmes frazës “tërmet”. Është pikërisht dosja famoze e Dibrës ku në zgjedhjet e pjesshme të mbajtura në 2016-ën për kryetar bashkie. Falë përgjimeve të prokurorisë të bëra publike nga BILD u zbardh para shqiptarëve skema e manipulimit të votës dhe përdorimit të shtetit e të elementëve kriminalë për të ndikuar te votuesi. Mbi të gjitha ‘hiti’ i kësaj dosje mbeti deklarata e transkriptuar e Damian Gjiknurit ku pohonte ” Tërmet do e bëjmë, do i …”.
Qartazi me deklaratën e tij, kryeministri ka dashur të përçojë një mesazh të qartë te kundërshtari politik por edhe tek institucionet e akuzës. ” Do të ripërsërisim Dibrën dhe ju nuk mund të bëni asgjë. Ne kontrollojmë gjithçka”. Ky ka qenë pak a shumë mesazhi i Ramës për SPAK tashmë me kryetar të ri dhe po ashtu opozitën me lidership krejt të ndryshëm nga ai i marrëveshjeve në tavolinë si 17 maji.
Por ndërsa Rama ecën qartësisht në shinat e demokracisë sic e mendon Rilindja, pra vjedhje, shitblerje e presion për votën, topi në këtë betejë qëndron te opozita dhe SPAK. Nga ky i fundit pritet një reagim dhe aksion para se të ndodhë ‘vrasja’ e zgjedhjeve pasi çdo veprim pas këtij akti do ishte thjesht show. SPAK dhe prokuroria duhet të parandalojë ripërsëritjen e skenarit “Dibra” , ndryshe lehtazi do perceptohen si mashë e qeverisë.
Ndërkaq një dyshim i madh qëndron te strategjia e opozitës. Si do i përgjigjet kjo e fundit skemës së përsëritur e mirëpërgatitur të pushtetit për blerje e presion të votuesit? A ka fronti opozitar një plan për mbrojtjen e votës? Si do sigurohet që mos përsëritet Dibra apo vetë 25 prilli 2021? Kreu i PD dhe ai i PL kanë premtuar publikisht se do ketë përballje ballore me atë që e cilësojnë si mafia në pushtet. Por si do arrihet kjo; Do luftohet në çdo qendër votimi, do ketë grupe për mbrojtjen e votës apo reagimi do jetë përmes protestave masive ekatreme nëse ndodh akti në 14 maj? Padyshim opozita është e vetëdijshme për skenarin e maxhorancës dhe nuk pret as plotësim standardesh e aq më pak monitorim ndërkombëtar. Zgjidhja mbetet te vota dhe ruajtja e saj. Se si, kjo i takon doktorit dhe Metës. Nëse ja dalin padyshim do realizojnë një prej misioneve më të pamundura në manualin e betejave elektorale politike, marrë shkas në kushtet ku zhvillohen këto zgjedhje; Opozita me zero pushtet, makinerinë shtetërore kundër dhe me një mal me oligarkë përballë që janë ngopur me paratë e pushtetit dhe që tani kanë detyrimin të ndihmojnë “kauzën” duke derdhur miliona euro.
Por kujdes nëse vota vidhet, blihet apo votuesi presionohet dhe nuk del në votime, atëherë të parët që do shënjestrohen, ndryshe nga çdo vend normal ku pas hekurave duhej të ishin personat përgjegjës, do jetë dyshja që drejton opozitën. Ndaj dhe sfida është tejet e vështirë dhe kërkon angazhim maksimal të gjithë kampit opozitar, duke synuar ndoshta deri në limit edhe shanset e bashkimit brenda radhëve të bluve për mos rrezikuar rrjedhjen e votës. Koha po shtrëngon…