Të mbrojmë fëmijët nga abuzimet që fshihen pas një ekrani!

Nga: Mirgit Vataj- Kryetar i Urdhërit të Punonjësve Socialë

Prej më shumë se katër vitesh kam ngritur zërin publikisht për problematikat serioze që sjell TikTok, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë. Gjatë kësaj kohe, kam kërkuar në mënyrë të përsëritur që kjo platformë të mbyllet në Shqipëri, duke paralajmëruar për dëmet që ajo po shkakton.

Sot, vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTok për një vit më duket një hap i domosdoshëm dhe një mesazh i qartë duhet të vendosim kufij dhe të mbrojmë shoqërinë tonë nga rreziqe që për një kohë të gjatë janë neglizhuar.

Për vite me radhë, TikTok ka qenë një platformë ku fenomenet më të errëta dhe modelet më negative kanë gjetur hapësirë. Rastet e vetëdëmtimeve dhe vetëvrasjeve të ndikuara nga përmbajtjet toksike, bullizmi dhe gjuha e urrejtjes kanë shkatërruar vetëbesimin e shumë fëmijëve dhe të rinjve. Manipulimi, shantazhi, abuzimet seksuale, vetdëmtimet dhe vetvrasjet janë vetëm disa nga dëmet që kjo platformë ka sjellë. E gjithë përmbajtja ka qenë jashtë çdo norme morale dhe ligjore, duke krijuar një terren të rrezikshëm ku fëmijët janë kthyer në viktima.

TikTok në realitetin shqiptar, është një mjedis i pakontrolluar ku abuzimi ka arritur përmasa të papranueshme. Nuk ekziston një platformë tjetër në Shqipëri me një përqendrim kaq të madh problematikash dhe rreziqesh. Prandaj, për vite me radhë kam apeluar për ndalimin e tij, duke paralajmëruar për pasojat që sot janë mëse të dukshme.

Mbyllja e tij përkohësisht për një vit është një masë që unë personalisht e kam propozuar publikisht dhe në institucionet përgjegjëse, jo si një formë ndalimi të përkohshëm, por si një hap i parë për të rregulluar këtë situatë dhe për të mbrojtur fëmijët. Kjo periudhë duhet të shërbejë për të analizuar thellësisht efektet e kësaj platforme, rregullimet e nevojshme ligjore, edukim dhe ndërgjegjësim për të patur një higjene kibernetike, për të ngritur një kontroll të rreptë mbi përmbajtjet online dhe për të ndërtuar e forcuar ato mekanizma që garantojnë sigurinë e përdoruesve.

Si shoqëri, kemi një përgjegjësi të madhe të mbrojmë fëmijët nga abuzimet që fshihen pas një ekrani!