“Sytë e krimit” ishin aty, guximi duhet të ishte marrë shumë kohë më pare. Sot policia mund të kishte serverat në dorë

Nga Aida TOPALLI

Pesëdhjetë e nëntë kamera të sekuestruara nga Policia e Shkodrës, të vendosura në mënyrë të paligjshme nëpër rrugët e këtij qyteti. Policia ka dyshime të forta se ato janë vendosur me një qëllim të qartë, për t’iu shërbyer personave që ushtrojnë veprimtari kriminale.

Një guxim që duhet të ishte marrë edhe më herët në fakt, sepse, të gjithë e dimë që ato kamera nuk u vunë as brenda një nate, as gjatë një muaji, apo prej pak muajsh.

Ato kanë qenë aty, në shërbim të personave që ushtrojnë veprimtari të paligjshme, apo nga grupet kriminale.

Me pak fjalë prej vitesh qyteti i Shkodrës paska qenë i monitoruar, jo nga ata që vendosin ligjin dhe e bëjnë atë, por nga ata që e shkelin me të dyja këmbët e sot vazhdojnë të jenë të lirë.

Kamera të vendosura në rrugë e zona ku janë numëruar jo pak ngjarje kriminale. Pra për të gjitha këto ngjarje, pamjet e tyre qenkan në një server.

Apo në disa servera, që nuk dihet se kush i kontrollon.

Në dukje diçka shumë e madhe, por në fakt, kjo sekuestro e një numri të kosniderueshëm të ‘syve të krimit’, është vetëm faza fillestare e një kalvari të gjatë pune policore.

Policisë dhe prokurorisë së Shkodrës i duhet tashmë të gjejë se ku janë të vendosura këto servera. Janë një apo janë shumë? Kush i disponon? Çfarë ka në përmbajtje të tyre.

Nëse këto pyetje do të merrnin përgjigje të mirëfillta, atëherë mund të thonim pa frikë se instancat po bëjnë punën, siç duhet.

Le të bëjmë një analogji:

Dy vite më parë, në qytetin e Elbasanit, u zbardhën dhe u dokumenatuan disa ngjarje të rënda kriminale, dosjet e të cilave ishin pluhurosur ndër vite.

Atëkohë, drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, në dokumentarin investigativ ‘UNPUBLISHED’ në

, u shpreh:

‘Kemi kryer veprime të cilat mund të ishin kryer edhe më parë. Këmi rindërtuar ngjarje, për të kryer veprime që mund të ishin kryer që atëherë’.

Por elementi kohë është shumë i rëndësishëm. Gjithçka lipset të bëhet në kohën e vet.

Cili është thelbi i kësaj analogjie?

Këto kamera duhet të ishin sekuestruar që atëherë. Nëse kjo gjë do të kishte ndodhur, atëherë sot, mund të ishim në fazën e serverave të gjendur dhe personash të vendosur para drejtësisë.

Megjithëse për të vendosur drejtësi nuk është kurrë vonë. Mjafton vullnet dhe çlirim nga ndikimet.