Nga: Dorjana Bezat*
Më 2 shtator 2022 u zhvillua në Peru operacioni antidrogë “Poseidon” nga autoritetet vendase, në bashkëpunim me DEA amerikane, Guardia Di Finanza italiane dhe policinë gjermane. Falë këtij operacioni në Peru dhe Gjermani u shkatërrua një rrjet trafiku kokaine i përbërë nga një grup kriminal shqiptar dhe italian. Grupi kriminal shqiptar dhe ai i Ndragheta kishin gjetur në Peru burimin nga i cili siguronin tonelata kokainë super të pastër. Ai ishte Werlinton Mauro Sanches Garcia i cili njihej me pseudonimin Tyson në Casuarinas. Ai e nisi këtë rrugëtim nga themeli për t’u bërë një zot droge që jetonte në luks të shfrenuar në një vilë luksoze me pishinë, kopshte të mëdha, palestër dhe xhakuzi.
Ai zotëronte gjithashtu avionë të vegjël që i vinte në funksion për veprimtari kriminale dhe fluturonte me ta në Brazil, Kolumbi dhe Bolivi. Ai njihej me pseudonimin “Tyson” për shkak të ngjashmërisë fizike me boksierin e famshëm amerikan. Gjurmimi i tij çoi në zbulimin e dy organizatave kriminale, asaj italiane dhe asaj shqiptare. Organizata shqiptare përbëhej nga 3 veta. Ai drejtohej nga Robert Suloti, një shtetas shqiptar i panjohur në vendin e tij, ndërsa në Peru konsiderohet si një peshk i madh. Ndërsa dy të besuarit e tij janë Emiljano Mamo dhe Kadri Gjoci.
I pyetur për trafikantët shqiptarë që janë thuajse anonimë në vendin e tyre, profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço tha se profili i tyre zhvendoset nga territori shqiptar në një territor tjetër. Ata kanë treguar të gjitha aftësitë e tyre menaxheriale dhe kriminale në raport me një treg që në Shqipëri nuk funksionon në nivelin që funksionon në portet, veçanërisht në Evropën veriore. Aty ata gjejnë habitatin e tyre në kombinim dhe koordinim me grupe të tjera të organizuara kriminale. Në Shqipëri nuk kanë synime të drejtpërdrejta, prandaj vijnë si njerëz të thjeshtë dhe natyrisht shfaqin profilet e tyre të personalitetit të çrregullimeve psikologjike dhe dhunës e agresionit, por jo të lidhura me një vepër tjetër penale.
39-vjeçari Emiljano Mamo nga Fieri i Shqipërisë nuk është i panjohur për policinë shqiptare. Në prill të vitit 2018, ai ishte shpallur në kërkim nga policia e shtetit pasi akuzohej për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Më 14 prill, Emiljano Mamo së bashku me kushëririn e tij tentuan të vrisnin me armë zjarri Arbër Jakupin. Ngjarja ka ndodhur në mes të qytetit të Fierit ku Jakupi është plagosur me thikë dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Në atë kohë autoritetet thanë se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
Por gati një muaj pas ngjarjes së 16 majit 2018, kërkimi për të u anulua dhe Mamo vazhdoi aktivitetin e tij normal në Shqipëri, ku bien në sy udhëtimet e tij të shpeshta jashtë Shqipërisë. Në tetor 2022 u largua për herë të fundit nga Shqipëria me anë të një linje ekonomike.
Ndërsa 28-vjeçari nga Rrësheni Kadri Gjoçi e kishte përjetuar shumë herët emigracionin, si dhe barrën e rëndë të burgut. Më 14 dhjetor 2019, ai zbarkoi në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, Shqipëri si i dëbuar nga shteti francez. Në intervistën në komisariatin e Rinasit, ai deklaroi se ishte dënuar me 10 vite për trafik droge në Francë. Pasi la hesapet me drejtësinë atje, ai erdhi në vendlindje për të qëndruar vetëm për pak kohë, pasi në kokë i dukeshin të qarta planet për të depërtuar në botën e drogës. Me një valixhe në dorë më 10 qershor 2021, ai do të largohej nga Shqipëria për të shkuar në Peru dhe për t’u lidhur me Ndraghetën me qëllimin përfundimtar trafikimin e kokainës në Evropë, një punë që e kishte nisur vite më parë.
Edhe pse në vendin e tij të lindjes ai nuk kishte precedentë penalë në Peru, ai u bë pjesë e një mafie që vërshoi Evropën me kokainë.
Pasi u identifikuan, tre shqiptarët ndiqeshin nga policia ditë e natë kudo që shkonin pasi policia peruane kishte informacione se ata së bashku me Tyson po përgatisnin diçka të madhe. Ishte çështje ditësh kur vëzhgimet nxorën në dritë se shqiptari Emiljano Mamo ishte i lidhur me italianin Pasquale Bifulcon, pjesë e Ndragheta-s së famshme për kontrollin e 80% të trafikut të kokainës në Europë.
Italiani ishte përfshirë dhe dënuar më parë për trafik droge në vitin 2014 dhe sipas Europol ishte trafikanti më aktiv në Evropë. Ai fitoi lirinë në vitin 2016, por DEA ishte pas tij. Për të pastruar paratë e drogës, ai kishte investuar në miniera dhe ndërtim.
Tre shqiptarët jetonin në një shtëpi në Lima, të cilën e përdornin jo vetëm për banim, por edhe si magazinë për drogën që merrnin nga Tyson.
Qindra kilogramë drogë u gjetën të fshehura në shasinë e një furgoni të përdorur prej tyre. Një sasi tjetër droge u gjet e fshehur në shtëpi. Përveç kokainës, policia sekuestroi para, armë dhe automjete.
Si rezultat i operacionit të papritur të policisë u sekuestruan Kadri Gjoci dhe Pasquale Bifulcon, Luis Alberto Narbasya Huayanay, 57 vjeç, të cilëve u sekuestruan 5.3 kilogramë kokainë, dy automjete dhe pajisje komunikimi, si dhe Elmer Cárdenas Ramírez, 56 vjeç. të cilit i janë konfiskuar një armë gjahu dhe 2 armë të tjera zjarri.
Ndërsa kreu i trafikut, peruani Werlinton Mauro Sanches Garcia (Tyson) dhe dy shqiptarët Emiljano Mamo dhe Robert Suloti u arratisën.
I gjithë ky rrjet u ndërtua për të çuar kokainën në portin e Hamburgut në Gjermani. Informacioni i hetuesve për bandën italo-shqiptare ka qenë aq i saktë dhe efektiv, sa kanë lejuar të çohen nga Peruja në portin e Hamburgut në Gjermani rreth 3 tonë kokainë. Ajo që trafikantët nuk dinin ishte se policia po vëzhgonte këtë ngarkesë. Operacioni i DEA-s dhe policisë peruane është kryer njëkohësisht me Gjermaninë, ku është arrestuar një shtetas turko-gjerman, i cili do të ishte përgjegjës për marrjen e mallit.
Dërgesat e drogës po largoheshin nga Alto Huallaga për në Lima dhe Tumbes në mënyrë që të transportoheshin me rrugë detare nga porti i Callao në Evropë nën modalitetin “eksporti nga kompania në kompani”. Agjentët pasi mësuan se organizata kriminale dërgonte një ngarkesë të konsiderueshme droge drejt Italisë dhe Hamburgut (Gjermani), vendosën të ndërhynin. Operacioni u nënshkrua nga gjyqtari peruan Victor A. Alcocer Acosta.
Hetimet e autoriteteve peruane nisën më 3 nëntor 2021, kur një burim konfidencial u tha atyre se një person i njohur me pseudonimin “Spaghetti Hermando” ishte i përfshirë në trafikun e drogës. Ai u identifikua më vonë si Pasquale Bifulco i cili më 23 nëntor u takua me një person të njohur me pseudonimin Ormeno i cili më vonë u identifikua si shqiptari Emiljano Mamo. Vëzhgimet vazhduan duke zbuluar anëtarë të tjerë të grupit, kryesori ishte Tyson i cili u identifikua si Werlinton Mauro Sanches Garcia. Kadri Gjoci njihej me pseudonimin Gianmarko, Luis Alberto Narbasta Huayanay njihej me emrin Acuna.
Peruanët dhe shqiptarët në bashkëpunim për të eksploruar mënyra të reja trafiku
Tre peruan dhe një shqiptar u arrestuan në Spanjë në dhjetor 2020 pasi u kapën duke trafikuar 72 kg kokainë të pastër nga Peruja. Protagonistët u angazhuan për zbatimin e një super skenari, por në fund u zbulua nga autoritetet dhe autorët përfunduan në paraburgim për trafik kokaine nga Peruja në Evropë. Të përfshirë ishin Luis Vasconsuelo, Víctor Meneses, Edgard Sotomayor, të tre nga Lima dhe 44-vjeçari Auron Dule, lindur në Vlorë, Shqipëri.
Qëllimi i këtij Grupi ishte gjetja e një rruge të re trafiku, të matur pa u vënë re nga askush. Trafikantët udhëtuan drejt portit të Aviles në Asturias (Spanjë) për të shkarkuar kokainën që ishte fshehur në një anije tregtare që ishte nisur nga Callao (Peru). Peruanët e arrestuar ishin dy zhytës të marinës dhe një ish-detar. Operacioni policor u zhvillua në portin e Avilés të Asturias, pasi autoritetet u njoftuan për praninë e një ngarkese droge në anijen “Thomas C” me flamur të Ishujve Marshall. Shqiptari Auron Dule i priste në port me një mjet për të marrë ngarkesën e premtuar prej 72 kilogramësh kokainë. Për autoritetet spanjolle, kokaina është padyshim peruane.
Luis Vasconsuelo u largua nga Peruja pak para bashkëpunëtorëve të tij Víctor Meneses dhe Edgard Sotomayor, më 24 shkurt 2020, duke u nisur për në Amsterdam, Holandë. Për shkak të disa udhëtimeve që Vasconsuelo ka bërë midis 2018 dhe 2019 në Kolumbi, Meksikë, Brazil dhe Panama, autoritetet nuk përjashtojnë që roli i tij të ishte si koordinator i disa dërgesave të kokainës në Evropë. Prania e shqiptarit Auron Dule ka tërhequr vëmendjen e zyrtarëve pasi ai ishte në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një organizate ndërkombëtare që shpërndan kokainë në Evropën Lindore. Dule u arrestua në Itali në vitin 2018 për trafik të llojeve të ndryshme të lëndëve narkotike nga Turqia në Itali. Ndërsa në Evropë ishte një trafikant i lidhur me grupet peruane, në Shqipëri Aron Dule mbante një profil të ulët. Ai jetonte në Vlorë dhe i vetmi kontakt që kishte me policinë shqiptare ishte kur persona të paidentifikuar i dogjën makinën e tij Ford Fiesta të parkuar poshtë pallatit ku banonte në lagjen “28 Nëntori” të Vlorës. Nga verifikimet rezultoi se mjeti tip Ford Fiesta me targë VL7613C me vlerë rreth 5 mijë euro është djegur me dashje.
Ndërsa, Vasconsuelo ishte nën vëzhgimin e agjentëve të DEA. Kur ka shkuar në Barcelonë ka kontaktuar me trafikantin e drogës në arrati nga drejtësia, shqiptarin Auron Dule. Vasconsuelo dhe Dule nuk e dinin që DEA i kishte nën vëzhgim. Ata u ndoqën nga Barcelona në Avilés, ku morën një shtëpi me qira. Pas pak, agjentët e antinarkotikëve zbuluan se peruani dhe shqiptari ishin të lidhur edhe me Víctor Meneses López dhe Edgar Sotomayor Urcuhuaranga. Kur policia zbuloi se ata ishin zhytës nga marina peruane, ishte e qartë se ishte mënyra e re që ata kishin tentuar të kontrabandonin kokainën në Evropë. Dule i udhëhoqi peruanët në një zonë afër portit të Avilés. Agjentët prisnin të zhyten dhe të merrnin drogën nga “Thomas C” dhe të ktheheshin në tokë për t’i kapur. Me të mësuar për operacionin,
Auron Dule së bashku me tre peruanët kanë udhëtuar drejt portit të Avilés, në Asturias, për të vënë në jetë planin brilant, i cili dështoi, duke i çuar në prangat e policisë. Të arrestuarit u identifikuan si Meneses López, Edgar Sotomayor Urcuhuaranga dhe Luis Vasconsuelo Rodrigo. Ndërsa shkarkonin drogën, shtetasi shqiptar Auron Dule i priste në një makinë për të marrë 72 kilogramët e lëndës narkotike që u sekuestruan.
Mediat e huaja thonë se Víctor Meneses López dhe Edgard Sotomayor ishin teknikë zhytjeje dhe shpëtimi (BSA) që punonin për Marinën Peruane. Ata u nisën për në Spanjë më 4 mars të këtij viti. Në fillim dukej se ishin me pushime, por në fakt ishin bërë pjesë e një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës, pikërisht si të infiltruar, në dërgesën e kokainës në anijen Thomas C dhe shkarkimin e saj në Avilés, një port i njohur për duke sjellë drogë që vinte nga Amerika e Jugut.