Viti 2023 nisi me këmbën e tersit sa ju takon aksidenteve me pasojë vdekjen. Viktimat, herë janë pasagjerët, herë shoferët, e jo rrallëherë edhe këmbësorët.
Rasti më i fundit, ishte aksidenti i pasdites së djeshme, ku një i ri, teksa drejtonte automjetin e tij, në zonën e Unazës së Madhe, një këmbësor i pret rrugën, e për pasojë përplasjes, humbi jetën.
Pamjet që qarkulluan ishin tejet të rënda. Vihej re se si makina me shpejtësi e ngre trupin e personit ende të paidentifikuar, disa metra në ajër, duke e lënë të vdekur në vend.
Sa herë që ndodhin aksidente, gjithmonë faji i mbetet shoferëve të automjeteve. Të paktën këtu në Shqipëri. Në asnjë rast, nuk ka ndodhur që të jetë marrë qoftë një masë administrative për këmbësorët.
Pse?
Është krejt e thjeshtë. Shumica prej nesh janë përdorues të mjeteve lëvizëse. Dhe çdo ditë përballemi me qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët kalojnë karrexhatën, kur nuk ka vija të bardha. Dhe më e rënda, ka raste kur shumë prej tyre kalojnë edhe në autostradë, duke kaluar edhe mbi trafiksndarëset.
Mos të harrojmë që shpejtësia e lejuar në rrugë interurbane, është minimalisht 90 km në orë. Një mungesë vëmendje e shoferit, ose një defekt Teknik, po marrim rastin, nuk mbajnë frenat, i kushton jetën qytetarit të papërgjegjshëm që kalon autostradën në këmbë.
Dhe i kujt mbetet faji? I drejtuesit të mjetit.
Por le të hyjmë pak më në detaje. Sepse fajtorët nuk janë vetëm përdoruesit e mjeteve dhe kalimtarët. Ka gjithmonë një shkaktar madhor. Ka gjithmonë një pse.
Mjafton të bësh një xhiro nëpër unazën e Tiranës, në autostrada. Dhe ajo që vihet re, është se në Shqipëri nuk ka mbikalime apo nënkalime. Ose janë shumë të rralla, ose nuk ekzistojnë fare. Mirëpo, krahë rrugëve përgjatë gjithë vendit, ka mjaft zona të banuara, pra ka lëvizje qytetarësh.
Kur u ndërtuan këto rrugë, a e mori kush parasysh këtë gjë? A nuk duhet të kishte mbikalime për këmbësorët. Nëse ato mungojnë, atëherë më mirë të mos i hapin akset për qarkullim.
Mjafton të shikoni videon në vijim, që të kuptoni se sa problematike është situate. Kemi mungesë të sinjalistikës. Kemi stacion autobuzi të munguar. Kemi mungesë të mbikalimit apo të vijave të bardha për të kaluar në krahun tjetër të rrugës.
Pamja është për pa koment, dhe rreziku aty është me të vërtetë i shtuar.