Nga Roberto GRUDA
Zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 mund të konsiderohen padyshim zgjedhje politike jo vetëm vendore si asnjëherë më parë. Zgjedhjet e 14 majit do të vendosin në garë për Tiranën 6 kandidatë: nga Erion Veliaj i PS, tek Belind Këlliçi i koalicionit Bashkë Fitojmë, Roland Bejko i PD dhe Lajla Përnaska, Arlind Qorri dhe Marko Dajti përkatësisht nga PDIU, Lëvizja Bashkë dhe Fronti i Majtë.
Opozita e vendit i gjen bashkitë kësaj here pa asnjë këshilltar në këto bashki se kryetar jo e jo.
Edhe për mazhorancën janë një provë force gjithashtu. Si asnjëherë tjetër fokusi në këto zgjedhje është vënë tek këshillat bashkiak. Opozita për të zënë vendet e lënë bosh në zgjedhjet e kaluara ndërsa mazhoranca për ti mbajtur ato. Por lë ti marrim me rradhë të gjitha kampet që garojnë në këto zgjedhje locale. Ish Presidenti i Republikës Ilir Meta u rikthye në arenën politike me partinë e reformuar me emrin Partia e Lirisë. Në këto zgjedhje ai kandidon në të gjitha bashkitë e vendit dhe fokusin e ka tek këshillat bashkiak duke ia lënë kandidatët për kryetar aleatit Berisha.
Dukej qartë se Meta e zhvendosi pothuajse të gjithë kupolën e partisë duke kandiduar figurat më të njohura për këshilla bashkiak.
Nga ana tjetër Berisha i cili në pamundësi për të kandiduar me vete me siglën e partisë që vetë themeloi bëri kolalicion me Metën për të garuar në këto zgjedhje.
Figurat më të njohura të grupit të tij Berisha i kandidoi për 61 bashkitë e vendit si dhe këshillat bashkiak përkatës.
Për këshillat bashkiak në këto zgjedhje po luan fort edhe mazhoranca ndoshta si asnjëherë më parë duke vendosur në lista emrat më të spikatur të partisë dhe kabinetit gjithashtu.
Por si ndahen mandatet në Këshillin Bashkiak
Mënyra se si do të përllogaritet fituesi për kryebashkiak është me shumicë të thjeshtë ose shumicë minimale. Kandidati që do të marrë një votë më shumë shpallet fitues i zgjedhjeve të 14 majit.
Ndryshe do të llogariten fituesit për Këshillin Bashkiak për Tiranën që është e vetmja bashki me 61 vende në këshillin bashkiak.
Në garë për të plotësuar këto vende janë 16 subjekte politike të cilat kanë depozituar, ndërkohë në KQZ sipas detyrimeve ligjore listat e tyre emërore me 61 kandidatë. Këto lista quhen ndryshe lista të mbyllura që do të thotë se zgjedhësit në fletën e votimit do ti referohen partisë dhe jo listave shumë emërore të tyre.
Llogaritja e mandateve sipas votave të fituara për Këshillin Bashkiak bëhet sipas një formule të quajtur formula e D’Hond, e cila numrin e votave të fituar nga çdo subjekt e pjesëton me numrat natyrorë me radhë nga 1 e në vazhdim.
Nga ky pjesëtim shifrat që përfitohen renditen nga më e madhja tek më e vogla deri në plotësimin e vendeve në dispozicion për këshillin bashkiak. Nëse do t’i referohemi votës politike të 2021 që subjektet politike kanë marrë në Tiranë dhe do ta llogarisnim sipas formulës në fjalë, atëherë Partisë Socialiste i takojnë 32 këshilltarë, PD-së bashkë me aleatët dhe LSI-në 28 këshilltarë dhe PSD-së 1 këshilltar ( këto subjekte politike morën pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 2021). Po sipas kësaj formule, referuar gjithmonë votave që kanë marrë në zgjedhjet e përgjithshme në Tiranë, numri i votave për mandatin e 61-të ishte 5677. Nëse partitë në këto zgjedhje lokale do të kishin të njëjtin rezultat dhe do të rreshtoheshin si në 2021, atëherë 1 partie të vogël do t’i duhen sot minimalisht 5677 vota për të marrë një mandat në këshillin bashkiak (përafërsisht).
Por pyetjet që logjikisht mund të shtrohen janë:
Pse po mblidhen të gjithë te këshilli vallë?
Pse ka shumë investim në këshilat bashkiak?
Cilat janë avantazhet e anëtarëve të këshillit bashkiak?
Cilat janë disa nga të drejtat dhe detyrimet e këshilltarit bashkiak?
Këshilltari informohet dhe i vihet ne dispozicion, me kërkesën e tij, nga administrata e Bashkisë, çdo lloj dokumentacioni për njohje të problemeve të juridiksionit të saj.
Këshilltari ka të drejtën e kualifikimit profesional, sipas programit të miratuar nga këshilli.
Disa nga detyrat dhe kompetencat e Këshillit Bashkiak janë:
1. Zgjedh dhe shkarkon Kryetarin dhe zv/Kryetarin e Këshillit.
2. Miraton numrin e punonjësve të bashkisë dhe institucioneve buxhetore në vartësi të Bashkisë, si dhe kërkesat për kualifikim, pagat dhe mënyrat e shpërblimit të punonjësve dhe të personave të tjerë, të zgjedhur ose të emëruar, në përputhje me legjislacionin përkatës.
3. Miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregëtare si dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose është bashkëthemelues.
4. Miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij.
5. Miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve.
6. Vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve.
7. Vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të qeverisjes vendore, përfshi subjektin e kompetencave të përbashkëta, ose me persona të tretë.
8. Vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për cështje të kompetencës së vet.
9. Zgjedh përfaqësuesit e Këshillit në Këshillin e Qarkut.
10. Vendos për dhënien ose heqjen e mandatit të këshilltarit.
11. Miraton norma, standarte e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen dhe garantimin e interesit publik.
12. Vendos për simbolet e Bashkisë.
13. Vendos për emërtimin e rrugëve, të shesheve, të territoreve, të institucioneve dhe të objekteve në juridiksionin e Bashkisë.
14. Jep tituj nderi dhe stimuj.
15. Vendos për rregullat, procedurat dhe mënyrat e realizimit të funksioneve të deleguara, në zbatim të ligjit, me të cilin bëhet ky delegim te Bashkia.