Për rininë që e ka ‘marrë lumi’

‘Kam 100 K followers-a’… ‘Kam blerë këtë çantën arush-pellush të LV’…. ‘Do iki tek Plazza me gocat sot’… ‘Nesërmbrëma e kam lënë me grupin në Bllok’… ‘Ajo darka me haviar… nuk ishte gjë fare’… ‘Do ta degjeneroj në TikTok’…

Vitet e fundit, këto janë frazat që dëgjojmë nga brezi i ri që po rritet.

Le të themi, nga brezi i fundit i studentëve të dalë nga fakultetet e vendit, nëse kanë arritur ta përfundojnë një të tillë, padiskutim.

 

Botoks, fryrje, shfryrje, trajtime që kapin shifra mijëra euroshe…

Tarifa e shifra, aspak normale për një brez që nuk punon, për një brez që jetën e ka Instagram, Snapchat, TikTok….

Tarifa e shifra të koklavitura për një brez totalisht pa kulturë pune.

Një brez që pa frikë do ta quaja injorant e analfabet.

Nje brez që nuk di se çfarë do të thotë të rritesh nga dy prindër që sakrifikojnë, të japin mundësinë e shkollimit, dhe të mbajnë me para derisa të gjesh një vend pune, gjë që në vendet e tjera të botës, e dini si funksionon, sapo të bësh 18, të lë të lirë të shkosh dhe nuk mban më asnjë përgjegjësi mbi ty.

Është në dorën tënde të bëshesh i zoti apo jo…

Ndërkohë këtu, prindërit e këtyre pseudovipave dhe brezit të ri, që saktifikojnë kaq shumë, mundi dhe djersa e tyre shumëzohet me zero.

Fëmijët nuk dinë as bazat. Nuk kanë hapur një libër në jetën e tyre, ose edhe nëse e kanë hapur, e kanë bërë sa për sy e faqe.

Është e turpshme, madje shpeshherë e neveritshme, se si një brez që ka mundësinë të informohet për gjithçka, me një klik në google, është kaq bosh.

Kultura e të lexuarit libra, është turp për brezin e ri. Madje, jo rrallëherë, kur në një grup të rinjsh, ka qenë pjesë dikush i lexuar e i ditur, kam parë se si është përjashtuar e përbuzur.

Ky është kulmi i injorancës dhe i vdekjes së ngadaltë të shoqërive anembanë botës.

Sot, unë nuk kam parë kurrë, ose kam parë shumë rrallë, të rinj që blejnë libra në bibliotekë.

Unë nuk kam parë kurrë të rinj që i dhurojnë njëri-tjetrit libra në raste festash.

Unë nuk kam parë kurrë një grup të rinjsh, të flasin mbi një libër.

Maksimumi që ata dinë, është ndonjë film në Netflix.

Ky brez që po rritet, fatkeqësisht, do prodhojë breza të tjerë injorantësh, të paudhësh, të paditurish. E për pasojë, ky brez, do krijojë atë humnerën e madhe, atë që është më e frikshmja. Humnerën mes shoqërisë që duhet të ishim, asaj të diturës e të lëxuarës, në shoqërinë  e teknologjisë robotike, pa ndjenja dhe pa tru.