Pengimi i radhës?/ Opozita me numërues VETËM në tavolinat me numër tek

Nga Roberto GRUDA

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, i cili drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e administratës zgjedhore, monitoron veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore dhe të medias në raport me zgjedhjet, si dhe zgjidh në rrugë administrative kërkesat apo ankesat që kanë lidhje me procesin zgjedhor.

Më 14 maj 2023 zhvillohen zgjedhjet vendore dhe ky institucion ka bërë një tjetër hap në lidhje me procesin zgjedhor.

Në KQZ është hedhur shorti për të ndarë numëruesin e katërt mes PL dhe PDIU për zgjedhjet e 14 Majit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që në përbërje të grupeve të numërimit sipas legjislacionit përkatës, të ketë 2 anëtarë të Partisë Socialiste, 1 të Partisë Demokratike. Ndërsa për anëtarin e katërt, do të ketë një short mes Partisë së Lirisë, Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, ku do të caktohen KZAZ-të në të cilat këto dy parti do të kenë anëtarët e tyre.

PDIU do të ketë numërues tek tavolinat me numër çift ndërsa Partia e Lirisë në tavolinat me numër tek.

Grupet e numërimit janë me 4 anëtarë: 2 mazhoranca dhe 2 opozita. Për shumicën, dy numërues do t’i ketë Partia Socialiste ndërsa për opozitën numëruesi i parë shkon për PD-në zyrtare të Alibeajt.

Sherri në KQZ ishte për numëruesin e katërt. Celibashi referuar ligjit futi në shortin e ndarjes PDIU-në dhe PL-në, duke propozuar që në gjysmat të ketë njëra numërues, e në gjysmat tjetra.

Në këtë mënyrë, Koalicioni “Bashkë fitojmë” do të ketë një numërues vetëm në gjysmat e tavolinave në mbarë vendin, pikërisht atë që ju dha Partisë së Lirisë.

Praktikisht Koalicioni Meta-Berisha nuk do të ketë anëtarë në gjysmën e KZAZ-ve të vendit sa i takon grupeve të numërimit për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Duke bërë kështu që koalicioni Meta-Berisha të mbetet pa asnjë anëtar në grupet e numërimit në gjysmën prej KZAZ-ve të vendit.

Celibashi u shpreh se sistemi tashmë është mjaftueshëm i konsoliduar dhe se do të numërohen edhe votat e atyre partive të cilat nuk kanë as numërues dhe as komisionerë.

“Anëtarët e grupeve të numërimit, janë aty si ekzekutorë të një procesi administrativ. Por mungesa e madhe e besimit ndërmjet palëve politike në këtë vend, i bën ata që të kenë një fokus të shtuar në këtë proces. Gjej rastin për të rikonfirmuar që edhe pse ka atë rëndësi që ka për ju se kush i propozon anëtarët e grupeve të numërimit, mendoj se sistemi është i konsoliduar mjaftueshëm për t’u dhënë garanci edhe atyre që nuk kanë as numërues dhe as komisionerë”-tha Celibashi.

Pas vulës, moslejimit për tu regjistruar me emrin e Sali Berishës  dhe ndarja e fondeve duket se pengesat për opozitën nuk po kanë fund në këto zgjedhje lokale.

 

Dhe pyetja që lind nga vendimi i KQZ-së, është se kush do ta ruajë votën e opozitës, kur në gjysmën e tavolinave koalicioni Berisha-Meta nuk do të ketë asnjë numërues?