(Pa)Siguria e Ahmetajt nëse “sharra” e SPAK ngec tek “gozhda” e imunitetit

Nga Roberto GRUDA

 

Arben Ahmetaj është një ndër politikanët më të rëndësishëm të tranzicionit në Shqipëri dhe një ndër më jetëgjatët e kabinetit Rama, që kur ky i fundit mori drejtimin e vendit në vjeshtën e 2013.
Ahmetaj ka qenë Ministër i Ekonomisë dhe Financave, si dhe zëvendësi i Ramës për një kohë në qeveri. Por karriera e Ahmetajt do të ndërpritej vetëm pak kohë më parë, kur shefi i tij do ta shkarkonte nga të gjitha funksionet në qeveri dhe parti gjithashtu.
Por nuk do të mbaronte me kaq. Nuk kaloi shumë dhe akuzat e bëra nga opozita për aferën e inceneratorëve do të intensifikoheshin dhe dosjen e “djegsave” do ta merrte SPAK.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme SPAK ndaj Ahmetajt janë intensifikuar ndjeshëm javët e fundit pasi është marrë zyrtarisht nën hetim për 4 akuza të rënda.
SPAK ka regjistruar ndaj tij akuzat e:
1. shpërdorimit të detyrës,
2. korrupsionit,
3. pastrimit të parave dhe 
4. përfitmit të paligjshëm të interesave.
Mësohet se SPAK ka bashkuar dy procedime, ndarjen e fraksionit për inceneratorin e Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash pas kallëzimit qe i është bërë për vilën në Hamallaj.
Për çështjen e koncesionit për inceneratorin e Elbasanit Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre. Ndërsa për një tjetër kallëzim për pasurinë e tij, ai po hetohet për “pastrim të parave”, “korrupsionit” dhe “fshehja e pasurisë”.
Hetimet për Ahmetajn kanë nisur që në 19 shtator të vitit të kaluar, por ankimimi i kryer në gjykatë nga mbrojtësit e tij për kontrollet e ushtruara në banesat e tij dhe të bashkëjetueses më 8 mars, faktoi bashkimin e 2 procedimeve dhe hetimin e tij për 4 vepra penale.

Ndërkohë, hetimi nuk kërkon një mandat autorizimi nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa nëse do të kërkohet një arrestim atëherë do të kërkohet edhe një autorizim nga Kuvendi.
Kujtojmë që Arben Ahmetaj i cilësoi të paligjshme kontrollet që janë bërë nga Byroja Kombëtare e Hetimit e SPAK në vilat në pronësi të bashkëjetueses së tij dhe ish gruas. Ahmetaj përmes një ankimimi në Apelin e Posaçëm Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, thotë se kontrolli në një prej vilave minimalisht është anti kushtetues pasi nuk është marrë leje nga Kuvendi, duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty. Sipas Ahmetaj, njëkohësisht bashkëjetuesja nuk është informuar paraprakisht për të pasur praninë e një mbrojtësi ligjor.
Mbrojtja kundërshtoi para gjykatës kontrollet e kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit në shtëpinë e bashkëjetueses së ish-ministrit Ahmetaj në zonën e Hamallajt, duke pretenduar se ajo nuk është funksionare e administratës shtetërore dhe nuk lidhet me faktet që po heton Prokuroria e Posaçme.

Më tej ish-ministri Arben Ahmetaj në ankimimin dorëzuar në Apel thotë se kontrolli në një prej vilave është anti-Kushtetues pasi nuk është marrë leje nga Kuvendi, duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty.
Përveç vilës në Hamallaj më 8 mars BKH ushtroi kontrolle në disa prova të Ahmetajt në rezidenca në Tiranë, në zonën e Shallvareve dhe Palasë.
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vendosur në sekuestro preventive dy vila në bregdet, pas dyshimeve se ato kanë lidhje me ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj. Për njërën vilë, e cila ndodhet në zonën e Palasës, prokuroria dyshon se i përket ish bashkëshortes së Ahmetajt, ndërsa tjetra në zonën e Hamallajt është në pronësi të bashkëjetueses së tij.
Tashmë çështja e Ahmetajt po hetohet nga kreu i SPAK Altin Dumani dhe prokurorja Enkeleda Minollai.
Ndonëse SPAK kryen hetime për ish ministrin ligji për imunitetin e deputetit duket se shërben si ombrellë për ligjvënësit. Ahmetaj nuk është rasti i parë që kemi parë kur një deputet akuzohet dhe nga imuniteti nuk preket dot. Pas të gjitha hetimeve nga organi i akuzës Ahmetaj dhe të gjithë me statusin e tij nuk ndalohen dot pa miratimin e Parlamentit.

Nëse Parlamenti nuk e miraton heqjen e imunitetit, SPAK mund të kthehet në vend numëro ose të presë derisa Ahmetajt t’i mbarojë imuniteti. Në pamje të parë duket se drejtësia për deputetët kalon nga parlamenti dhe jo nga organet përkatëse që duan drejtësi.
SPAK mund të kërkojë që nesër që t’i hiqet imuniteti Arben Ahmetajt dhe këtë kerkësë e bën organi i akuzës.
E thënë konkretisht Altin Dumani i kërkon Parlamentit heqjen e imunitetit të Ahmetajt. Mazhorancën në Parlament e ka Rama, pra Dumani i kërkon Ramës, Ahmetajn.
Po sikur Rama të mos e miratojë?
Kjo do të thotë se sharra e SPAK ngec tek gozhda e imunitetit.