M’at anë bulevardit asgja e re
Nga Roberto GRUDA
Kryedemokrati Sali Berisha thirri sërish popullin opozitar në Bulevardin kryesor të Tiranës dhe poshtë zyrës se shefit të qeverisë për ti kujtuar këtij të fundit keqqeverisjen dhe skandalet e qeverisë sipas tij.
Berisha zgjodhi një ditë simbolike ta zhvillonte këtë protestë, në të njëtën kohë kur zhvillohej seanca e procesit gjyqësor që do të përcaktonte juridikisht se cilat janë strukturat udhëheqëse të Partisë Demokratike.
Por Berisha nuk priti vendimin dhe rreth orës 12:00 siç e kishte paralajmëruar dhe u nis me mbeshtetësit e tij drejt Bulevardit “Dëshmorë e Kombit “.
Kujtojmë se në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës, njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, e po ashtu dhe vendimet e dala nga ky Kuvend, i cili shkarkoi të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga zoti Lulzim Basha. Por ndaj këtij vendimi u bë ankimim nga kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj.
Vlen të theksohet fakti se qëndrimi i Gjykatës, ishte përcaktues për të qartësuar se cili nga dy grupimet e Partisë Demokratike, do të përfaqësohet me siglën e kësaj force politike, në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Edhe nëse Gjykata nuk do të shprehej me vendim, atëherë me gjasë, do të ishte grupimi i udhëhequr nga zoti Alibeaj, që do të përfshihet në garën elektorale, si Partia Demokratike, ndërsa zotit Berisha do t’i duhet të gjejë një alternativë tjetër, siç ndodhi në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022, kur kandidatët e tij, garuan nën siglat e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” e rregjistruar nga LSI dhe Partia Demokristiane. Afati për rregjistrimin e forcave politike garuese në zgjedhje skadon më 6 mars.
Zoti Berisha është shprehur se nuk kishte lidhje me procesin në gjykatën e Apelit, ku sipas tij nuk ka asnjë bazë ligjore për të njohur si palë zotin Alibeaj. Ai deklaroi se opozita ka nisur një “revolucion demokratik paqësor” pasi sipas tij “nuk ka rrugë tjetër për përmbysjen e kësaj kufome politike që quhet Edi Rama, i cili ka arritur në një stad, që përbën rrezik real për çdo shqiptar”.
“Protesta e 3 marsit është anti-Rama. Është kundër të vjedhjeve të tmerrshme që u bën shqiptarëve, kundër përzënies masive që u bën shqiptarëve, kundër thikës që futi në marrëdhënies mes Shqipërisë dhe SHBA, kundër përpjekjeve të tij për të shkatërruar opozitën.
Protesta është: t’i dalim zot Shqipërisë.
Është një moment i rëndësishëm i revolucionit demokratik, që nuk ka më të ndalur. Dështuan në çdo përpjekje, dështoi çdo përpjekje e turpshme për të mposhtur opozitën dhe për ta vendosur atë nën kontrollin e Edi Ramës. Përpjekje unike në histori.
Prapë, vështirësi ka, por aty ku u nis kjo betejë dhe ku ka arritur, asgjë nuk e ndalon këtë revolucion deri në fitoren e plotë“, ‒tha Berisha.
Edhe aleati i Berishës, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, u shpreh se zoti Rama nuk ka më asnjë justifikim, se kush ja ka fajin për këtë shkatërrim që i bëri shtetit, për këtë shkatërrim që i bëri shoqërisë sonë, për këtë shkatërrim që i bëri shumë familjeve shqiptare, me plagët më të rënda sociale. Ndaj të gjithë së bashku të vazhdojmë në rrugën tonë, protesta dhe zgjedhje, zgjedhje dhe protesta.
Gjatë protestës ku morën pjesë disa mijëra mbështetës të opozitës, zoti Berisha theksoi se “qëllimi i revolucionit është përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve.
Ashtu si shumë herë të tjera edhe protesta e 3 marsit fatkeqësisht përfundoi pa asnjë rezultat përtej disa fjalimeve dhe ultimatumeve për rrëzim qeverie.
Populli opozitar u largua nga Bulevardi i Tiranës direkt pasi Berisha mbylli fjalimin e tij.
Pas Berishës ikën të gjithë, nga arsyeja e shiut që erdhi mbi Tiranë apo jo, por një gjë është e sigurt se ai shi bereqet nuk solli edhe këtë herë duke mos sjellë, asgjë të re përtej atij Bulevardi.