Nga: Greta Topjana
Para dy ditësh isha në Lezhë në një takim me të rinjtë për të diskutuar mbi sfidat e arsimit në vend…dhe një nga nxënësit më pyeti: Si mund të kem dëshirë të arsimohem në Shqipëri, të mendoj për një karrierë këtu kur çdo ditë e më shumë kuptoj se në vendin tim mund të vritem në mes të rrugës sepse s’ka siguri?!
Nuk kisha përgjigje për të veçse ndjesinë e fajit dhe një revoltë të madhe që s’dija kujt t’ja adresoja më shumë e kujt më pak…por faji është jetim thonë!
Sot u mbajt një protestë simbolike për Martinin e vogël që u vra pa mëshirë nga një tjetër fëmijë i cili ra në llumin shoqëror që kemi krijuar: “Viral bëhesh kur je i fortë dhe gango! Popullor në shkollë je kur mban armë të ftohta, kur bullizon e kërcënon ata të cilët nuk janë të dhunshëm… Trendy je kur shan me fjalor të ndyrë pavarësisht që gjysmën e atyre fjalëve as vet nuk i di”
Kam një pyetje për ju, a ju ka ndodhur të paktën njëherë të dëgjoni që dikush është marrë me drogë dhe të tjerë të thonë: Bravo i lumtë atij, është i shkathët! (Apo urime të tjera të ngjashme)
A ju ka ndodhur të paktën njëherë në jetë të keni parë një video të VIP-ve të Tik Tok të cilët për të fituar para kërcënojnë LIVE emra të përveçëm, dhunojnë njerëz me probleme mendore, shfaqin organet intime dhe me këto ata pasurohen?!
A ju ka ndodhur të pakten njëherë në jetë të shihni fëmijë që zihen dhe ju të keni kthyer shpinën…ose dikush tjetër ta ketë bërë se ç’rëndësi ka kjo…
A ju ka ndodhur të paktën një herë të keni dëgjuar dikë që ju ka kërcënuar ju apo dikë tjetër pse i zure parkimin apo pse e parakalove?!
A ju ka ndodhur të paktën një herë ne jetë t’ju kenë thënë ju apo dikujt që njihni “A e di ti se kush jam unë?!”
A ju ka ndodhur të paktën njëherë në jetë që kur keni dashur të denonconi një padrejtësi ju apo dikush që njihni, të keni ndjerë frikë dhe pasiguri se mos policia ju “spiunon” dhe abuzuesi hakmerret ndaj jush?!
Unë jam vajzë jam gazetare jam person publik dhe i kam dëgjuar të gjitha këto, nëse ju jo!
Fatkeqësisht sot teksa isha në protëstë paralelisht në një cep tjetër të Tiranës, pikërisht aty ku është shtëpia e studentëve te “Qytet Studenti” pati një tjetër sherr me thika…
Fatkeqësisht më duhet të them se e prisja dhe pres që situata të tilla do vazhdojnë për aq kohë sa nuk merren masa…për aq kohë sa ne do duartrokasim modelin e të bërit shpejt lekë si kriminel, për aq kohë që mësuesi është i paaftë dhe pa autoritet, për aq kohë që politika nuk mban përgjegjësi apo askush nuk jep dorëheqjen, për aq kohë që shohim fëmijë që bëjnë sherr dhe kthejmë shpinën, për aq kohë sa në polici të kemi policë bashkëpunëtorë me krimin apo policë të frikësuar për ta luftuar krimin…fatkeqësisht do ketë të tjera krime…