Mars 2023/ Foshnja në Paskuqan dhe 10 vjeçarja në Don Bosko, të pafajshmet e masakrave

Marsi nisi me “këmbën e tersit” për Tiranën. Aksidente me më shumë se një viktimë, vrasje me disa të vdekur e disa të plagosur.
Më 1 mars, Dan Hutra vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera në një hark shumë të shkurtër kohor.

Pak ditë më parë, në zonën e quajtur rretherotullimi i TEG, humbën jetën në një aksident tejet të rëndë 3 të rinj dhe u plagosën dy të tjerë.

Sonte, datë 12 mars, kur ende nuk është bërë gjysma e muajit të tretë të vitit, u regjistrua një tjetër ngjarje, po kaq e rëndë sa dy të parat.

Person/a të paidentifikuar, gjuajtën me breshëri plumbash në drejtim të një lokali, në të cilin qëndronte kamarierja, e cila fatkeqësisht ndërroi jetë dhe 5 persona të tjerë, të plagosur.

Mes tyre edhe një vajzë vetëm 10 vjeç.

Brenda këtij muaji, fatkeqësisht, fëmijët e vegjël panë me sytë e tyre, vrasjen e njerëzve më të dashur.

Vajza e vogël e Elena Hysës, pa vrasjen e  tezes dhe nuses së dajës, e bashkë me to, edhe plagosjen e mamasë dhe gjyshes.
Ajo ishte një foshnje dhe nuk e kuptoi.

Por sot, sot ishte shumë e rëndë. Një 10 vjeçare pa me sytë e saj, gjyshen tek jepte shpirt.
Një fëmijë 10 vjeç, fikson dhe kupton gjithçka.

Ai fëmijë, ajo vajzë, nuk do ta harrojë dot kurrë atë skenë. Do të rritet me mllef e urrejtje, për dorën zezë të atij/atyre, që morën një jetë të pafajshme.

Një fëmijë nuk ka kusure. Skena të tilla, makabre, e mira e të mirave do të ishte të mos ndodhnin kurrë, por edhe po ndodhën, jo më në sytë e fëmijëve.

Atyre  ju shkatërrohet e ardhmja.