Nga Armela Makaj
Fillimi i vitit të ri akademik për studentët e mjeksisë filloi jo në auditore, por në rrugë, duke bojkotuar mësimin. Ndonëse me disa protesta rradhazi gjatë muajit korrik, mesa duket zëri i studentëve është i parëndësishëm për shtetin tonë. Bojkoti i mësimit nga studentët e mjeksisë vjen si pasojë e reformës së qeverisë, e cila i detyron që të qëndrojnë në Shqipëri për një periudhë punësimi nga dy deri në pesë vite, pas përfundimit të ciklit të studimeve. Ndonëse zëri i studentëve qartazi po bie në vesh të shurdhër, duket sikur vetë qeveria ka zgjedhur të dali në një luftë të hapur me studentët.
Së fundmi, ishte Zv. Ministrja e Arsimit Albana Tole që doli në një betejë me studentët e mjeksisë, duke deklaruar se këta të fundit do të jenë të detyruar që ose të nënshkruajnë kontratën ose të zgjedhin që të ndërpresin studimet. Kjo është zgjidhja që qeveria ka menduar për studentët e mjeksisë.
Por më një situatë të tillë ku po i drejton qeveria studentët? Pse qeveria duket sikur po zgjedh me vetëdije të plotë që studentët t’i drejtojë drejt universitetit privat ose në situatën më të keqe drejt emigrimit? Në momentin kur sot shoqëria jonë po përballet me një valë largimesh, pse shteti shqiptar po zgjedh që të ketë një përballje kaq të ashpër me studentët? Me largimin e tyre, kush do të studiojë mjeksinë, kush do të jenë mjekët e ardhshëm në vendin tonë?
Në vendin tonë duket sikur studentët zënë një vend të parëndësishëm dhe nuk po shihen si e ardhmja e vendit. Universiteti shtetëror në Shqipëri po shkon cdo ditë e më shumë drejtë braktisjes, një braktisje e tillë që duket qartazi sikur shteti ka vendosur të heq dorë plotësisht nga e ardhmja e vendit, të cilët janë studentët. Nuk duhet të harrojmë që një universitet më i mirë sot sjell një shoqëri më të mirë nesër.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.