Korça, atraksioni turistik i fundjavës

Nga: Elda Voshi

Erdhi fundjava. Shkojmë në Korçë!

Netët e gjata dhe të ftohta duken sikur nuk mbarojnë kurrë… E tillë duket dhe rruga për në Korçë, pak e gjatë por premtuese, që edhe pse errësirë duket se po prek majat e thepisura të kodrinave dhe përtej tyre, qëndron i heshtur një liqen që duket sikur ka gllabëruar ndriçimin e zonës duke reflektuar kështu nuancat më të bukura.

Pak më tutje seç afrohet i ftohti dhe befas e gjen veten duke marrë një tjetër ajër dhe kupton se je në Korçë.

Ç’mund të thuash për një qytet sa vjen e bëhet më i bukur?!

Ehh! E tillë Korça. Destinacioni i preferuar për pushime.

Aty ku qetësia, nuk mposhtet edhe nga dyndja më e madhe e popullsisë nëpër rrugica ku nën shoqërinë e njëri-tjetrit, vizitorët shijojnë rrezet e diellit dhe pamjen e mrekullueshme të transformimit të këtij qyteti, që tashmë duket si qendër e një Parisi të vogël. Aty ku, dhe pse nuk ke ku të pronotosh, pasi vendet janë të zëna sidomos në fundvit, përsëri zemra është e ngrohtë…. Aty ku si për çudi këmbët të çojnë të darkosh nën tingujt e serenatave dhe të shijon aq shumë, saqë nuk don të dalësh më prej aty, dhe në orët e vona të natës duket sikur qyteti është mbyllur në guackën e saj ëndërrimtare dhe përreth e mbuluar nga malet që duken si mburojë.