‘Kamera sigurie me ruajtje afatgjatë’/ A ekzistojnë pamjet e takimit të Ervis Martinajt me Avdylajt në Shijak

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të gjitha drejtoritë vendore të policive po sekuestrojnë kamerat e sigurisë nëpër qytete, të cilat dyshohen se janë vendosur dhe monitoroheshin nga grupet kriminale.

Ditën e sotme, grupet e mediave të policive të Durrësit, Elbasanit e Korçës njoftuan për 3 operacione që u finalizuan me heqjen e dhjetëra kamerash sigurie.

Numri më i lartë i kamerave ishte në Shijak, aty ku ka patur edhe emra konkretë se nga kush monitoroheshin.

Nga Avdylajt dhe vëllai i të ashtuquajturit ‘Rrumi’ i Shijakut.  Për herë të parë, në fakt, bëhet e mundur që këta persona të paprekshëm, të vihen përpara përgjegjësisë. Bëhet fjalë për kamera që ruajnë deri në një vit pamjet e tyre, të një cilësie e rezolucioni shumë të lartë.

Policia këtë herë, duket se do të ketë në dorë edhe pamje konkrete. Pamje që do të shërbejnë në zbardhjen e një prej ngjarjeve më të bujshme, atë të fatit të Ervis Martinajt.

Të shumta janë zërat se për herë të fundit Martinaj është parë në Shijak, në shoqërinë e Aldo Avdylit dhe një personi tjetër. Replika e ka cituar historinë edhe në numrat e parë të saj.

Me hapjen e serverave, do të vërtetohet nëse ka qenë apo jo Ervis Martinaj në Shijak dhe nëse po, është takuar apo jo me Avdylajt.