Heshtën për Shkodrën, flasin për Bashën!

Prej ditës që Enkelejd Alibeaj paraqiti dorëheqjen nga kryetar i komanduar i Partisë Demokratike, nisën përsëri akuzat dhe memet politike për të goditur figurën e Lulzim Bashës. Ai mund të ketë 100 mëkate mbi kurriz, por nuk ka asnjë mëkat që përjashtoi Sali Berishën nga Partia Demokratike si pasojë e një vendimi, i cili erdhi nga SHBA-të e ndaj të cilit jemi borxhlinj. Në politikën reale nuk ke asnjë mundësi të kundërshtosh ose do të përballesh me pasojat dhe sanksionet që mund të vendoste SHBA ndaj forcës politike, e cila rrëzoi komunizmin.

Sikur të mos mjaftonte situata post zgjedhore e 14 majit, cila solli një humbje katastrofike të dyshesh Berisha-Meta dhe koalicionit Bashkë Fitojmë, duket se nuk ka asnjë shenjë reflektimi përsa i përket humbjes dhe pse ka ardhur kjo situatë deri në këtë pikë.
Ajo që ishte e paparshikueshme për demokratët dhe për nostaligjikët e Berishës erdhi si një rrufe në qiell të pastër. Berisha humbi Shkodrën dhe veriun ato që quheshin bastione të djathta. Mesa duket historia të ndëshkon kur i përdor njerëzit si mish për top dhe kurrë nuk i ke dhënë rëndësinë dhe zhvillimin ekonomik që ajo zonë meriton kur në qeveri dhe në pushtet lokal ka qënë PD.

Rama si makiavelist politik zgjodhi Benet Becin, një mbiemër i nderuar në qytetin e Shkodrës dhe një nga ata demokratët, të cilët kupola politike e Partisë Demokratike nuk i ka vlerësuar dhe kanë zgjedhur të ndjekin rrugën e tyre. Rama e mori Shkodrën ashtu siç mori gjithë Shqipërinë dhe kjo edhe falë meritës së tij dhe përçarjes së opozitës.
Në momentin kur Berisha humbi kryeqytetin e veriut, pritej një reflektim dhe një analizë. Pse ndodhi kjo? Të gjithë heshtën, askush nuk guxoi t`i kërkojë llogari Berishës, jo llogari jo e jo, por as reflektim se çfarë po ndodh.

Të gjithë heshtën përballë kësaj humbje turpëruese dhe nuk lanë asnjë second të shkonte dëm, por nxituan të flisnin për Bashën. Në do të kthehet Basha apo jo kjo është një çështje e cila i përket Kryesisë së Partisë Demokratike për ta vendosur.
Bashës do t`i duhet të reflektojë dhe vetë për mëyrën si do të vijë? Çfarë ka bërë dhe se si do të udhëheqë partinë? Peshën e fajit të tij dhe a do ta pranoj baza dhe qytetarët?! Këto janë pikëpyetjet që ngrihen për figurën e Bashës por Ironia e gjithë kësaj situata është se ata që heshtin për Shkodrën, flasim për Bashën.