Edi Rama ndez “motorrët” për zgjedhjet e 14 majit, pas “Pakos së madhe” vijnë mbledhjet maratonë

Nga Replika.al

Fillimi i këtij viti ka nisur me takime intensive të kryeministrit Edi Rama , pas “Pakos së madhe” që duket më shumë si joshje para zgjedhjeve të 14 majit vijnë lëvizje të tjera të rëndësishme duke filluar që nga takimi me ministrat, Presidentin e Republikës dhe drejtuesit e qarqeve.

Po çfarë synuan këto takime ?

“Projekte konkrete dhe punë konkrete për rezultate konkrete në vitin ku sapo hymë”.
Kështu paralajmëron kryeministri Rama pas mbledhjes maratonë me ministrat e kabinetit qeveritar.
“Shumë për të thënë, po sidomos shumë për të bërë, duke pasur çdo ditë parasysh mbi të gjitha ata që kanë më shumë nevojë” shton ai.
Takimi u mbajt në vilën 31, por asnjë detaj nuk u bë i ditur, duke lënë të kuptohet se ose po punohet shumë ose…..!

Më pas kryesocialisti zhvilloi takim me drejtuesit e qarqeve, i cili zgjati rreth 4 orë, mësohet se u diskutua për zgjedhjet e e ardhshme dhe rikandidimet në disa qarqe. Kryesocialisti Edi Rama në këtë takim dha porositë e tij sa i përket organizimit politik në terren, për maksimalizimin e votës, si edhe mbështetje për kandidatët e listës për këshilla bashkiak. Shumë vendime nga kryetarët e bashkive kalojnë për vendime edhe në këshilla bashkiakë.

Presidenti i Republikës ishte takimi i radhës i cili zgjati për një orë. Nëpërmjet një postimi në facebook, kreu i qeverisë bëri me dije se fokus ka qenë mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ndryshimet e ambasadorëve. Por cilat mund të jenë lëvizjet? Bëhet fjalë për dy grupe ambasadorësh, së pari, janë ata që kanë dalë në pension dhe duhen emërime të reja siç janë Ilir Boçka në Serbi, Roland Bimo në Austri, apo Visho Ajazi në NATO. Grupi tjetër janë ata që u ka mbaruar mandati. Këta diplomatë pritet që të rishpërndahen në misione apo pozicione të tjera.

Fill pas takimit që pati me presidentin Begaj, Rama mblodhi qeveritarët e zyrtarët në Pallatin e Kongreseve. Ajo që vihet re është se mbledhja është shoqëruar me kritika pasi nëpërmjet disa fotove të shpërndara pas takimit, Rama shfaqet duke folur me gjeste dhe tone të ashpra me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Damian Gjiknurin. Lind pyetja sa komode do jenë zgjedhjet për PS? A ka përballë një opozitë po kaq aktive?