Dosja e plotë e skandalit McGonigal dhe mohimi kategorik i Ramës
Nga Roberto GRUDA
Replika.al ka mundur të sigurojë dosjen dhe akuzën e plotë që ka ngritur Departamenti i Shtetit ndaj ish-agjentit special të FBI lidhur me prangosjen e Charles McGonigal. Faktet shpjegojnë shumë për zhvillimet politike të 3-4 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës.
Dosja e plotë e FBI-së rendit shkeljet e kryera nga ish-agjenti i FBI-së në New York, përfshirë këtu udhëtimet në Shqipëri dhe kontaktet me kryeministrin Edi Rama e persona të tjerë. Për mediat e huaja, Personi A dhe Personi B nuk kanë emra, por kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha pretendon se janë Dorian Duçka dhe Agron Neza. Zyrtari i lartë McGonigal është paguar nga njerëz pranë kryeministrit Edi Rama, 3 herë, me shumën e plotë rreth 225 mijë dollarë, për të ndikuar që FBI të hapë një hetim për një nga firmat e lobimit në SHBA. Paratë janë dhënë nga një person me nënshtetësi amerikane, i cili është i njohur edhe si “Personi A” në dosje.
Juria e Madhe akuzon se, në ose rreth orëve dhe datave të përcaktuara këtu: akuzat e përgjithshme. Gjatë gjithë kohës materiale për këtë aktakuzë, përveç rasteve kur tregohet ndryshe: Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ishte një departament brenda Ekzekutivit Dega e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Byroja Federale e Hetimit (“FBI”) ishte krahu kryesor hetimor i Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara dhe ishte një organizatë e sigurisë kombëtare me përgjegjësi si të inteligjencës ashtu edhe të zbatimit të ligjit.
I pandehuri CHARLES F. MCGONIGAL ishte një agjent special i ngarkuar (“SAC”) i zyrës së FBI-së në Nju Jork nga tetori 2016 deri në pensionimin e tij nga FBI më 14 shtator 2018, dhe gjatë asaj kohe ishte anëtar i Shërbimit të Lartë Ekzekutiv (“SES”). I pandehuri McGonigal ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e kundërzbulimit dhe sigurisë kombëtare ka rëndësi si SAC, duke përfshirë vende evropiane si Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Rama mohon akuzat
Kryeministri Edi Rama mohoi kategorikisht që të ketë lidhje mes tij dhe akuzave të ngritura në Shtetet e Bashkuara ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve me zyrtarë të shteteve të tjera.
Rama deklaroi se “në aktpadinë konkluzive nuk ka absolutisht asnjë gjë që të lidhet me mua dhe me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përvec faktit që jemi takuar këtu e atje. Drejtësia amerikane ka hetuar plotësisht dhe ka ngritur akuzë ndaj personit, për konflikt interesi për një borxh të marrë nga shoku i tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, që jetojnë bashkë në New York”.
Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Kishte qenë vetë McGonigal që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezës nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme.
Ish-zyrtari i arrestuar i FBI-së dhe lidhjet me Shqipërinë
Por përveç Nezës, në akt-akuzë shfaqen dhe lidhje të tjera të ish zyrtarit të FBI-së me personazhe të tjerë nga Shqipëria, ku ai realizoi disa vizita, gjatë së cilave zhvilloi dhe takime me kryeministrin Rama. Së bashku ata u takuan më pas dhe në New York.
Takimet mes tyre janë zhvilluar gjithnjë në prani të Nezës dhe Dorian Duçkës të cilin akt-akuza e përshkruan si “i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qënë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare”.
Zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim se përse takimet me ish zyrtarin e FBI-së janë zhvilluar në prani të personave privatë, por dha disa shpjegime rreh marrëdhënieve të tij me ta. Për zotin Nezën ai tha se “nuk e kam njohur më parë asnjë herë. Nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asgjë tjetër, por e kam takuar vetëm në praninë e ish zyrtarit të lartë të FBI-së”.
Sa i përket zotit Duçka u mjaftua të shprehej se “ka qenë zëvendësministër i Energjitikës, në koalicionin e vitit 2013 dhe pastaj për një farë kohe ka punuar pranë meje pa pagesë”. Zoti Rama nuk dha shpjegim se deri kur zoti Duçka ka punuar pranë tij. Herën e fundit që ata janë parë së bashku, të paktën publikisht, ka qenë në qershor të vitit të shkuar, kur zoti Duçka ishte pjesë e delegacionit që shoqëronte zotin Rama gjatë vizitës së tij në Kiev, e madje ishte dhe në tryezën e bisedimeve me presidentin ukrainas Volodimir Zelensky.
Kryeministri nuk dha ndonjë sqarim as se përse fillimisht Duçka e më pas Neza, ishin angazhuar për t’i dhënë informacion ish zyrtarit të FBI-së për një çështje lobimi në Shtetet e Bashkuara, në favor të një partie shqiptare.