Zelensky: Ukraina do të anëtarësohet në NATO vetëm pasi të fitojë luftën kundër Rusisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se beson se vendi i tij do të anëtarësohet në NATO vetëm pasi të fitojë luftën kundër Rusisë.

Ndërsa vizitoi Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në kryeqytetin Kiev së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Zelensky tha “Për mendimin tim personal, ne do të jemi në NATO vetëm kur të fitojmë. Nuk besoj se do të pranohemi në NATO gjatë luftës. Për disa, ky është një rrezik, për disa, është thjesht skepticizëm,” tha Zelensky gjatë një takimi me oficerët në universitet të hënën.

Duke treguar se çështja e pranimit të Ukrainës në NATO është një çështje politike dhe jo një vendim i bazuar në përputhshmërinë e Kievit me standardet e aleancës, Zelensky tha se nevojitet një fitore që Kievi të përfshihet politikisht.

Unë besoj se një nga arsyet pse ka një luftë është sepse ne nuk ishim në aleancë më parë,” tha më tej Zelenskyy, duke shtuar se Rusia ka punuar shumë me partnerët e Ukrainës shumë vite më parë në mënyrë që Kievi të mos pranohet në NATO dhe BE-së.

Nga ana e tij, Stoltenberg tha se është e nevojshme që të 32 anëtarët e NATO-s të bien dakord për të ftuar një vend të ri për tu bërë anëtar i aleancës, por se ata aktualisht nuk kanë një konsensus të tillë. Më herët të hënën, Stoltenberg mbërriti në Kiev për një vizitë të paparalajmëruar, gjatë së cilës ai zhvilloi bisedime me Zelensky dhe iu drejtua Verkhovna Rada, parlamenti i Ukrainës.