Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u takua sot në Londër me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, në kuadër të samitit të liderëve të BE-së. Takimi shërbeu për të riafirmuar mbështetjen e Italisë për Ukrainën dhe për të theksuar angazhimin e përbashkët për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Meloni deklaroi se Italia, së bashku me partnerët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara, do të vazhdojë të punojë për të siguruar sovranitetin dhe lirinë e Ukrainës. “Ne mbështesim Ukrainën dhe do të angazhohemi për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme,” u shpreh ajo.
Nga ana e tij, Zelensky falënderoi Italinë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. “Kam pasur një takim produktiv me kryeministren Giorgia Meloni për të zhvilluar një plan të përbashkët veprimi për t’i dhënë fund luftës me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme,” shkroi ai në Platformën X.
Presidenti ukrainas theksoi se Rusia dhe Vladimir Putin synojnë vazhdimin e luftës dhe për këtë arsye është thelbësore të ruhet uniteti mes aleatëve. “Ukraina ka nevojë për paqe të mbështetur nga garanci të forta sigurie,” tha Zelensky, duke vlerësuar mbështetjen italiane në këtë drejtim.