Zelensky kritikon SHBA-në: Ende pa përgjigje ndaj refuzimit të Putinit për armëpushim
- 6 April, 2025
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur publikisht zhgënjimin e tij ndaj Shteteve të Bashkuara për mungesën e një reagimi pas refuzimit të presidentit rus Vladimir Putin për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar në Ukrainë.
Në një fjalim drejtuar kombit ukrainas, Zelensky theksoi se Ukraina kishte pranuar propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor, por Moska e hodhi poshtë atë. Ai shtoi se Uashingtoni nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare për këtë zhvillim, duke kërkuar veprime konkrete nga SHBA, Evropa dhe “të gjithë ata që duan paqen”.
“Ukraina ka pranuar propozimin amerikan për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar. Putin refuzoi. Ne presim që SHBA të përgjigjet. Deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje,” deklaroi Zelensky, duke shtuar se presioni ndërkombëtar ndaj Rusisë është ende i pamjaftueshëm.
Marrëdhëniet e Zelenskyt me homologun e tij amerikan, Donald Trump, janë tensionuar muajt e fundit, ndërsa ai ka bërë thirrje të vazhdueshme për rritjen e presionit ndaj Kremlinit.
Ndërkohë, të paktën dy persona humbën jetën – njëri në Kiev – dhe tetë të tjerë u plagosën në sulme me raketa që goditën disa rajone të Ukrainës gjatë natës së së shtunës, sipas autoriteteve vendase.
Sipas agjencive ruse të lajmeve, kontakte të reja mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë pritet të ndodhin javën e ardhshme, ndonëse nuk është zbuluar natyra e këtyre bisedimeve.
Regjistrohu në buletinin tonë informativ