Zbehen protestat për arrestimin e Trump
Barrikada dhe siguri maksimale në Nju Jork . Hetimet që janë hapur ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump për pagesën e 130 mijë dollarëve për aktoren e filmave për të rritur, Stormi Deniellsin, për të mbajtur të fshehur aferën seksuale ka vënë në lëvizje autoritetet në SHBA për shkak të protestave të thirrura nga vetë Trump.
Gjatë fundjavës Trump u bëri thirrje ndjekësve në mediat sociale që të protestojnë ndaj asaj që ai tha se kjo mund të çojë në arrestimin e tij. Por mediat amerikane shkruajnë se thirrjet e ish-presidentit Donald Trump kanë ndeshur kryesish në heshtjen e mbështetësve të tij. Disa nga besnikët e tij më të flaktë, e kanë hedhur poshtë idenë, duke e konsideruar si një humbje kohe pasi nuk dëshirojnë që të përballen me forcat e zbatimit të ligjit. Forcat e zbatimit të ligjit në Nju Jork po vazhdojnë të monitorojë bisedat në internet që paralajmërojnë protesta dhe dhunë nëse Trump arrestohet.
Kjo gjë ka ngritur pikëpyetje nëse Trump, ndonëse një pretendent kryesor i republikanëve në garën presidenciale të vitit 2024, e që vazhdon të ketë ndjekës të përkushtuar, ka ende fuqinë për të mobilizuar mbështetësit e ekstremit të djathtë, ashtu siç bëri më shumë se dy vite më parë, para 6 janarit 2021, sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit.
Një aktakuzë mund të dëmtojë përpjekjen e Trump për rikthim në Shtëpinë e Bardhë. Rreth 44% e republikanëve thonë se ai duhet të largohet nga gara presidenciale nëse akuzohet, sipas një sondazhi nga Reuters/Ipsos.
Ish-Presidenti Trump do të bëhej në këtë rast i pari ish-president i Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit ngrihet një akuzë penale. Ai përballet gjithashtu me hetime të gjera nga prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, për rolin e tij në përpjekjet për të qëndruar në pushtet pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden.
Agjentët mund të paraqiten në rezidencën e tij në Mar a Lago të Floridas për t’a shoqëruar drejt Gjykatës në Nju Jork, ku do të merret në pyetje.Por Trump mund të lirohet me kusht dhe mund t’i ndalohet largimi nga vendi deri në dhënien e vendimit përfundimtar. Nëse shpallet fajtor, gjasat janë më të mëdha që të gjobitet sesa të përballet me burgim maksimal prej 4 vitesh dhe kjo çështje vetëm mund të dëmtojë popullaritetin e tij.