Zbardhet metoda unike e policisë në Brazil: Buajt 800 kg patrullojnë kundër krimit

Në qytetin e vogël Soure, në ishullin Marajó të Brazilit, policia ushtarake ka gjetur një mënyrë të pazakontë për të luftuar krimin: patrullimin mbi buaj që peshojnë rreth 800 kilogramë.

Këto kafshë të fuqishme janë ideale për terrenet e vështira të ishullit, veçanërisht gjatë sezonit të shirave kur rrugët bëhen të pakalueshme për automjetet. Sipas policisë, buajt janë të aftë të ndjekin të dyshuarit edhe nëpër pellgje dhe këneta.

“Ka vende ku nuk mund të arrish me motor apo varkë, por me buajt nuk të pengon asgjë,” tha për Wall Street Journal rreshteri i policisë, Ronaldo Souza.

Në Soure, qytet me rreth 24,000 banorë, policët patrullojnë çdo mëngjes mbi buajt e tyre, duke krijuar një pamje mbresëlënëse. Banorët krenohen se qyteti i tyre është një nga vendet e pakta në Brazil ku mund të ecësh lirshëm pa frikën e grabitjeve.

Ishulli Marajó ka rreth 600,000 buaj, të cilët përdoren si mjete transporti, taksi dhe burim ushqimi. Megjithatë, krimi mbetet i rrallë, dhe policia merret kryesisht me raste të vogla si grindje familjare apo vjedhje të vetë buajve.

Për banorët, këto kafshë nuk janë vetëm pjesë e kulturës lokale, por edhe simbol i sigurisë dhe krenarisë së ishullit.