Zbardhen kushtet e Putinit për armëpushim në Ukrainë, Zelensky: Nuk do të funksionojë

Presidenti rus Vladimir Putin i ka paraqitur Donald Trump kushtet kryesore për një armëpushim në Ukrainë, duke theksuar se ai mbetet i përkushtuar për një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Sipas një deklarate të Kremlinit pas telefonatës mes tyre, Putin ka kërkuar ndërprerjen e plotë të ndihmës ushtarake nga jashtë për Kievin, përfshirë ndalimin e shkëmbimit të inteligjencës.

Gjithashtu, ai ka theksuar se çdo marrëveshje duhet të trajtojë “shkaqet rrënjësore të krizës” dhe të jetë “komplekse, e qëndrueshme dhe afatgjatë”.

Ndër kushtet e tjera, Moska kërkon që Ukraina të ndalojë mobilizimin e detyruar dhe riarmatimin e ushtrisë, si dhe që çdo zgjidhje të marrë parasysh “interesat legjitime” të Rusisë në siguri.

Në reagimin e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Putinin se ka vendosur kaq shumë parakushte “sa asgjë nuk do të funksionojë fare”.