Xi Jinping do të vizitojë Moskën më 20 mars
Presidenti i Kinës Xi Jinping do të vizitojë Moskën më 20 mars, ku pritet të tregojë mbështetje për presidentin rus Vladimir Putin, teksa edhe tenton të shtyjë përpara një plan për paqe që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë.
“Gjatë bisedimeve do të diskutohen çështje aktuale të zhvillimit të mëtejshëm të partneritetit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit strategjik midis Rusisë dhe Kinës”, tha Kremlini në një njoftim të datës 17 mars. Ministria e Jashtme e Kinës konfirmoi vizitën, e cila vjen pas ftesës së Putinit drejtuar liderit kinez. Kina ka propozuar një plan për paqen në Ukrainë.
Dokumenti i saj 12-pikësh mbi “zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë” thekson nevojën që të dyja palët të de-përshkallëzojnë gradualisht konfliktin, duke çuar në një armëpushim gjithëpërfshirës. Plani kërkon mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e sovranitetit të të gjitha vendeve. Megjithatë, Kina nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë.