Vrasja e fëmijëve në Gaza teksa prisnin në radhë për ushqim/ Ushtria izraelite: Ishte gabim teknik!

Të paktën dhjetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, u vranë nga një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve al-Nuseirat në Gazën qendrore të dielën, sipas autoriteteve të emergjencës palestineze. Viktimat po prisnin në radhë për të mbushur bidonë me ujë pranë një cisternë.

Trupat e pajetë u dërguan në spitalin al-Awda në Nuseirat, ku sipas një mjeku u trajtuan edhe 16 të plagosur, përfshirë shtatë fëmijë.

Dëshmitarët thanë se një dron izraelit lëshoi një raketë mbi turmën që priste me bidonët bosh. Ushtria izraelite (IDF) tha se sulmi synonte një anëtar të Xhihadit Islamik, por për shkak të një “gabimi teknik”, municioni goditi dhjetëra metra larg objektivit. Rasti është në hetim.

“Forcat Mbrojtëse të Izraelit janë të vetëdijshme për pretendimet lidhur me viktima civile dhe po punojnë për të minimizuar dëmet ndaj të pafajshmëve”, thuhet në deklaratën e IDF, e cila shton se “i vjen keq për çdo dëm ndaj civilëve që nuk janë të përfshirë në luftë”.

Pamje të verifikuara nga vendngjarja tregojnë njerëz duke nxituar për të ndihmuar të plagosurit, mes bidonëve të verdhë, ku ndër ta ndodheshin edhe fëmijë. BBC Verify konfirmoi vendndodhjen përmes krahasimeve me çatitë, pemët dhe shtyllat elektrike përreth. Sipas hijes në video, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth 80 metra në jugperëndim të shkollës së mesme në Nuseirat.

Kjo ngjarje ndodhi në një kohë kur sulmet ajrore izraelite janë intensifikuar në të gjithë Rripin e Gazës. Një zëdhënës i Mbrojtjes Civile të Gazës tha se vetëm të dielën u vranë edhe 19 palestinezë të tjerë në tre sulme të ndryshme ndaj ndërtesave banimi në Gazën qendrore dhe qytetin e Gazës.

Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) raportoi se ka trajtuar më shumë raste të viktimave masive në spitalin e tij të fushës në Rafah gjatë gjashtë javëve të fundit sesa në të gjithë vitin e kaluar. Vetëm të shtunën, spitali pranoi 132 pacientë me lëndime nga armët, prej të cilëve 31 vdiqën. Pjesa më e madhe e viktimave kishin plagë nga armë zjarri dhe ishin duke u përpjekur të merrnin ndihma ushqimore.

Të shtunën, 24 persona të tjerë u vranë pranë një pike ndihmash në Gazën jugore, ku dëshmitarët pohuan se trupat izraelite hapën zjarr ndaj civilëve që po kërkonin ushqim. Ushtria izraelite deklaroi se nuk ka njohuri për viktima nga zjarri i saj dhe se ishin qëlluar vetëm “të shtëna paralajmëruese”.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut raportoi të premten se janë regjistruar 789 viktima të ndërlidhura me shpërndarjen e ndihmave, nga të cilat 615 pranë zonave të kontrolluara nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), që operon me mbështetjen e SHBA-së dhe Izraelit.

Organizata GHF akuzoi OKB-në për përdorimin e të dhënave “të rreme dhe të manipuluara” nga Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Hamasi në Gaza. Megjithatë, vetë drejtori i GHF, Johnnie Moore, pranoi se kanë ndodhur vdekje pranë pikave të ndihmave, por mohoi se të gjitha ishin të lidhura me operacionet e tyre.

Gazetarët ndërkombëtarë, përfshirë BBC-në, nuk lejohen të hyjnë në Gaza nga autoritetet izraelite.

Kampanja ushtarake izraelite në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku rreth 1,200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që kontrollohet nga Hamasi, mbi 57,800 persona janë vrarë që nga ajo kohë.

Pothuajse gjithë popullsia e Gazës është zhvendosur disa herë, me mbi 90% të shtëpive të dëmtuara ose të shkatërruara. Sistemet e shëndetit, ujit, higjienës dhe sanitetit janë në kolaps, ndërsa mungojnë ushqimet, karburantet, barnat dhe strehimi.

Për herë të parë pas 130 ditësh, këtë javë u lejua hyrja e 75,000 litrave karburant në Gaza, sasi që Kombet e Bashkuara e cilësuan si “larg së qeni e mjaftueshme”.

Në fundjavë, nëntë agjenci të OKB-së paralajmëruan se mungesa e karburantit ka arritur nivele kritike. Nëse sasia shteron, do të paralizojë spitalet, sistemet e ujit dhe bukën për popullsinë e uritur.