Vizitat nga Kishida dhe Xi Jinping tregojnë ndarjet e thella në Azinë verilindore për luftën
Solidaritet dhe mbështetje për aq kohë sa duhet për Ukrainën. Kryeministri japonez Fumio Kishida në udhëtimin e tij të papritur dhe historik në Kiev premtoi bashkëpunim të fortë dhe strategjik me Ukrainën.
Zelenskiy tha në një konferencë të përbashkët shtypi me Kishida se ai do t’i bashkohej një samiti të ardhshëm të G7 në maj në Japoni online pas një ftese nga kryeministri japonez.
VOLODOMYR ZELENSKY PRESIDENT I UKRAINËS: Kryeministri japonez një mbrojtës vërtet i fuqishëm i rendit ndërkombëtar dhe një mik i vjetër i Ukrainës. Sigurisht, ne diskutuam bashkëpunimin tonë në kuadrin e Japonisë kryesuese e G7. Kryeministri Kishida më ftoi të marr pjesë në këtë samit që është planifikuar në Hiroshima. Ne e ftuam Kinën, si publikisht ashtu edhe përmes kanaleve diplomatike, të marrë pjesë në formulën tonë të paqes, për dialog dhe presim një përgjigje prej saj.
Udhëtimi i Kishida është hera e parë që një kryeministër japonez viziton një vend apo rajon që është në luftë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo do të jetë gjithashtu vizita e parë në Ukrainë nga një anëtar aziatik i grupit G7 dhe e para nga një aleat i SHBA-së në rajon.
Vizitat e dyfishta nga Kishida dhe Xi Jinping nënvizojnë ndarjet e thella në Azinë verilindore për luftën në Ukrainë, me Japoninë që premton ndihmë të konsiderueshme për Kievin, ndërsa Kina mbetet një zë i vetmuar që mbështet një Putin gjithnjë e më të izoluar dhe për më tepër tani një kriminel të dyshuar lufte.
Udhëtimin e tij Kishida e nisi në rajonin e Butcha aty ku krimet e luftës janë edhe më të qarta pasi më shumë se 400 civilë u vranë vitin e kaluar nga forcat ruse dhe që atëherë është bërë sinonim i brutalitetit rus gjatë luftës.Kushida vendosi një kurorë me lule jashtë një kishe përpara se të mbante një moment heshtjeje dhe përkuljeje.
FUMIO KISHIDA KRYEMINISTËR I JAPONISË: Bota u habit kur pa civilë të pafajshëm në Bucha të vrarë një vit më parë…Ndjej vërtet zemërim të madh për të gjitha aktet mizore. Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta për të gjitha viktimat dhe të plagosurit në emër të shtetasve japonezë.
Kishida tha se vendi i tij do të ndjekë hetimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj presidentit rus Vladimir Putin me shumë interes. Nga ana tjetër takimi mes dy liderëve atij kinez dhe rus nuk prodhoi asgjë , Plani i paqes nuk rezultoi shumë efektiv dhe për shumë analistë të politikës së jashtme shikohet më shumë si një mbështetje ushtarake ndaj Moskës të cilën Pekini e mohon.
Ndërsa Xi Jinping përgatitej të largohej nga Moska, sirenat e sulmit ajror u ndezën në të gjithë kryeqytetin ukrainas Kiev dhe në veri dhe lindje të Ukrainës, ku u kryen sulme me dronë. Britania u zotua gjithashtu se do të përshpetojë dërgesat e tankeve Challenger 2, ndërsa SHBA gjithashtu deklaroi se tanket Abrams do të dërgohen deri në vjeshtë. Nga ana tjëtër Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi marrëveshjen paraprake me Kievin për një paketë kredie katërvjeçare prej rreth 15.6 miliardë dollarësh.