Vijon beteja për Bakhmut
Mbrojtësit ukrainas po vazhdojnë të rezistojnë ndaj një vale të re të sulmeve ruse në qytetin lindor të Bahmutit, pavarësisht se Rusia ka pretenduar se ka avancuar në këtë qytet, tha ushtria ukrainase më 10 maj.
Forcat ruse kanë kryer 46 sulme ndaj pozicioneve ukrainase në vijën e frontit Bahmut-Avdijivka-Marjinka në rajonin lindor të Donjeckut, ku Moska ka përqendruar përpjekjet kryesore të luftës, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase. Përveç granatimeve të vazhdueshme, forcat ruse po ashtu kanë përdorur avionë për të sulmuar pozicionet ukrainase në Avdijivka, tha ushtria. Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit rus të mercenarëve, Wagner, pretendoi se forcat e tij po bëjnë përparim në Bahmut.
Ai ia ka lënë fajin mungesës së municioneve për paaftësinë e grupit të tij që të marrë kontrollin e Bahmutit dhe vetëm disa ditë më parë ka kërcënuar se do të tërheqë trupat nga qyteti, por më vonë ka thënë se forcat e tij kishin filluar të pranonin municione. Më 10 maj, guvernatori i rajonit rus, Kursk, që gjendet në kufi me Ukrainën, tha se një “dron i armikut” është rrëzuar.
Në Bruksel, të dërguarit e BE-së ndërkaq do të nisin debatin më 10 maj për paketën e re të propozuar të sanksioneve të njëmbëdhjetën me radhë lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Pakoja e re e sanksioneve shënjestron edhe kompanitë kineze dhe iraniane që mbështetin Rusinë.