Vijojnë protestat në Gjeorgji pavarësisht tërheqjes së ligjit për agjentët e huaj
Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit gjeorgjian, Tbilisi, natën e tretë me radhë, pavarësisht se partia qeverisëse, Ëndrra Gjeorgjiane, u zotua se do të tërheqë Ligjin kundërthënës për “agjentë të huaj” nga Parlamenti.
Protestuesit më 9 mars u mblodhën sërish jashtë Parlamentit, ku valëvitën flamujt të Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian dhe brohoritën slogane kundër Qeverisë dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Demostratat nisën më 7 mars pasi Parlamenti votoi legjislacionin për agjentë të huaj, që mbështetej nga partia në pushtet. Kritikët kanë paralajmëruar se legjislacioni, që detyron organizatat e shoqërisë civile që pranojnë mbi 20 për qind të fondeve të tyre nga jashtë të klasifikohen si “agjentë të huaj”, është i njëjtë me legjislacionin e miratuar në Rusi.
Përballë protestave dhe kritikave të ashpra nga Perëndimi, Ëndrra Gjeorgjiane njoftoi se do të tërhiqte legjislacionin duke thënë “si parti e qeverisë që është e përgjegjshme për çdo anëtar të shoqërisë, ne kemi vendosur që ta tërheqim projektligjin që e kemi mbështetur”.
Partitë opozitare përmes një deklarate të përbashkët thanë se protestat do të vazhdojnë derisa të ketë garanci se “Gjeorgjia është në kursin pro-perëndimor”. Opozita shpesh ka kritikuar Ëndrrën Gjeorgjiane se është shumë e afërt me Moskën, e cila mbështet separatistët në rajonet e shkëputura gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut.