Vetmia është po aq e rrezikshme sa pirja e 15 cigareve në ditë

 

SHBA po përballet me një epidemi vetmie që është po aq e rrezikshme për shëndetin sa pirja e 15 cigareve në ditë. Mjekët  bëjnë thirrje  që izolimi social të trajtohet seriozisht sikurse obeziteti ose abuzimi me drogën. Gati gjysma e amerikanëve, nga të gjitha sferat e jetës, mendohet se janë prekur nga vetmia.

Kjo lidhet me arritje më të ulëta akademike apo performancë më të keqe në punë. Gjendja është përkeqësuar nga pandemia COVID-19, e cila ka bërë që shumë njerëz t’i zvogëlojnë rrethet e tyre shoqërore, tha Murthy, i cili njëherësh është edhe udhëheqës operacional i Shërbimit të Shëndetit Publik të SHBA-së.

Strategjia e tij ka gjashtë shtylla që përfshijnë përpjekjet për të forcuar infrastrukturën sociale në mesin e komuniteteve. Ajo thekson edhe nevojën për më shumë transparencë të të dhënave nga firmat e teknologjisë, si dhe për një reformim të mjediseve digjitale.

Sipas tij, vetmia rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme për gati 30%, pasi mund të shkaktojë stres te njerëzit, diabet, sulm në zemër apo pagjumësi. Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se doracaku është pjesë e përpjekjeve më të gjera të administratës së presidentit Joe Biden për të trajtuar shëndetin mendor. Maji është muaji i ndërgjegjësimit për shëndetin mendor në SHBA.