Vendet e G7 arrijnë marrëveshje mbi përdorimin e pasurive të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën

Takimi i Grupit të Shtatë vendeve më të industralizuara të botës u hap të enjten me arritjen e një marrëveshjeje mbi një propozim të Shteteve të Bashkuara për një hua prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila do të financohet me interesin e fituar nga pasuritë e ngrira ruse, duke i dhënë Kievit një shfaqje të fortë mbështetjeje edhe pse skena politike e Evropës po përjeton një zhvendosje në krahun e djathtë.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni mirëpriti krerët e shteteve të G7-ës në një resort luksoz në Italinë jugore, duke thënë se dëshiron që mesazhi i këtij takimi të jetë dialogu me jugun global dhe uniteti.

Ajo e krahasoi G7-ën me pemët e lashta të ullirit që janë një simbol i rajonit të Pulias, “me rrënjët e tyre të forta dhe degët e projektuara drejt së ardhmes”.

Papa Françesku do të bëhet Papa i parë që do të mbajë një fjalim në një takim të G7-ës, duke i dhënë pak më shumë famë dhe autoritet moral këtij takimi të përvitshëm. Ai do të flasë të premten për mundësitë dhe rreziqet e inteligjencës artificiale, por pritet gjithashtu të përsërisë thirrjen e tij për një fund paqësor të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës.

G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara. Italia, e cila është mikëpritëse e takimit të këtij viti, ka ftuar disa udhëheqës të vendeve afrikane, përfshirë presidentin algjerian Abdelmadjid Tebboune, presidentin kenian William Ruto dhe presidentin tunizian Kais Saied, për të nxitur nismat e zhvillimit dhe frenimit të emigracionit nga Afrika drejt Italisë dhe gjithë Evropës.

Në mesin e të ftuarve të tjerë janë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, kryeministri indian Narendra Modi dhe presidenti turk Recep Tajip Erdogan.