Vendet e BE-së arrijnë marrëveshjen për dyfishimin e burimeve të ripërtëritshme

 

Parlamenti i Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare të këtij blloku e arritën  një marrëveshje që deri në vitin 2030 pothuajse ta dyfishojnë përqindjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në konsumin e përgjithshëm të bllokut 27-vendësh.

Kjo marrëveshje e përkohshme politike synon ta rrisë përqindjen e burimeve së ripërtëritshme të energjisë, si era dhe dielli, në 42.5 për qind, nga 22 për qind që është aktualisht. Marrëveshja u bë e ditur përmes një deklarate të Këshillit të BE-së, e cila përfaqëson qeveritë kombëtare të bllokut. BE-ja ka vendosur këtë synim ambicioz pasi mësyn të bëhet një ekonomi “neutrale klimatike” deri në vitin 2050, përmes uljes së emetimeve neto të gazrave serrë në zero.

Aktualisht ka dallime të mëdha mes vendeve anëtare të BE-së në nivelin e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Suedia kryeson 26 vendet anëtare me 63 për qind të konsumit të mbuluar nga burimet e ripërtëritshme. Ndërsa, në Luksemburg, Maltë, Holandë dhe Irlandë, burimet e ripërtëritshme mbulojnë vetëm më pak se 13 për qind të konsumit.

Për t’i arritur këto synime, BE-ja do të duhet të bëjë investime të mëdha në prodhimin e energjisë nga era dhe dielli, si dhe të shtojë prodhimin e gazrave të rinovueshme dhe ta përforcojë rrjetin e energjisë në Evropë. Komisioni Evropian ka thënë se deri në vitin 2030 do të nevojiten investime shtesë prej 113 miliardë eurosh në energjinë e ripërtëritshme dhe infrastrukturën e hidrogjenit, nëse vendet e BE-së duan t’i japin fund varësisë së tyre nga karburantet fosile ruse.