Vatikani konfirmon ekzistencën e një “misioni paqeje” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Pietro Parolin, konfirmoi ekzistencën e një “misioni paqeje” të Vatikanit për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, disa ditë pasi Papa Françesku zbuloi një operacion sekret në të cilin tha se po punohej.
Kardinali Parolin u shpreh i habitur që zyrtarët në Rusi dhe në Ukrainë u shprehën të befasuar lidhur me nismën e Vatikanit, kur u pyetën për komentet e Françeskut. Duke folur gjatë një konference në Vatikan, Parolin tha se të dy vendet ishin informuar më parë, sipas Vatican News.
“Bazuar në njohuritë e mia, ata e dinë. Por, ju e dini se si shkojnë këto gjëra, në burokraci mund të ndodhë që komunikimet që supozohet të mbërrijnë nuk mbërrijnë”, citohet të ketë thënë Parolin. Gjatë tre ditëve të tij në Budapest, Papa Françesku zhvilloi takime private me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili ka vazhduar të mbajë marrëdhënie me Moskën, si dhe me ish të dërguarin e Kishës Ortodokse Ruse, e cila e ka mbështetur fuqishëm luftën e Rusisë në Ukrainë.
Komentet e Parolinit erdhën ditën kur Papa Françesku përshëndeti të dërguarin aktual të jashtëm të Kishës Ortodokse Ruse, Metropolitin Anthony, në fund të grumbullimit të përjavshëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Parolin theksoi se Anthony kishte ardhur në Vatikan si pjesë e kontakteve të rregullta midis dy kishave dhe se prania e tij nuk kishte lidhje me misionin e paqes. Papa Françesku është përpjekur të mos e antagonizojë Moskën me deklaratat e tij të përsëritura të solidaritetit me popullin ukrainas.