Vajza 7-vjeçare bie në koma nga djegiet, i shpërtheu një lodër gjatë një sfide virale në TikTok

Një vajzë 7-vjeçare nga Missouri ka përfunduar në koma dhe ka pësuar djegie të rënda pas një incidenti tragjik, kur një lodër squishy shpërtheu gjatë një eksperimenti të bazuar në një sfidë virale që kishte parë në TikTok. Scarlett Selby, e cila jeton në Festus, Missouri, po përpiqej të realizonte një nga sfidat e njohura në platformën e mediave sociale, ku njerëzit vendosnin lodrat NeeDoh në frigorifer dhe më pas i fusnin në mikrovalë për t’i bërë më të buta. Megjithatë, ky eksperiment që dukej i padëmshëm u kthye në një katastrofë të tmerrshme për Scarlett.

Mëngjesin e ditës së incidentit, Scarlett kishte ngrirë lodrën NeeDoh një natë më parë dhe e kishte futur në mikrovalë për disa sekonda, duke menduar se do të bëhej më i butë dhe më i këndshëm për të luajtur. E gjithë kjo ndodhi nën vëzhgimin e babait të saj, Josh Selby, i cili ishte duke u siguruar që lodra nuk të ishte shumë e nxehtë për ta përdorur. Por, pas disa sekondash, lodra shpërtheu papritur dhe e spërkati fytyrën dhe trupin e Scarlett-it me një substancë të nxehtë dhe ngjitëse.

Josh Selby, duke dëgjuar vajzën e tij që bërtiste, menjëherë vrapoi për ta ndihmuar dhe të largohej substanca e nxehtë nga trupi dhe rrobat e saj. Por substanca ishte shumë ngjitëse dhe e trashë, dhe çdo tentativë për ta larguar nga lëkura ishte e kotë. “Sa herë që e prekja, dora ime ngjitej pas saj,” tha Josh, duke shtuar se ndihma ishte e pamundur për shkak të ngjitshmërisë dhe qëndrueshmërisë së substancës që kishte shpërthyer nga lodra. Ai tha se ishte e vështirë ta ndihmonte pasi substanca kishte ngjitur edhe rrobat e vajzës.


Familja Selby nuk humbi kohë dhe menjëherë e dërguan Scarlett-in në Spitalin e Fëmijëve në St. Louis, një udhëtim që zgjati 30 minuta. Gjatë rrugës, Scarlett vazhdonte të bërtiste nga dhimbja dhe ishte e frikësuar. Mjekët në spital e futën menjëherë në koma të induktuar për të shmangur rrezikun nga ënjtja e mundshme e rrugëve të frymëmarrjes, pasi djegiet në gojën e saj ishin shumë të rënda. Ajo qëndroi në koma për tre ditë dhe iu desh të përdorte një tub ushqimi për të ngrënë, pasi buzët e saj ishin dëmtuar aq keq sa që nuk mund të ushqehej as me ushqim të zakonshëm.

Për momentin, mjekët vendosën të mos bënin një transplant të lëkurës, megjithatë familja është e shqetësuar se mund të nevojitet një procedurë e tillë në të ardhmen, pasi djegiet lënë shenja të theksuara. “Shenjat janë aq të rënda sa që duken jashtë lëkurës së saj,” tha e ëma, Amanda Blankenship. Ajo është duke aplikuar kremra dhe pomada silikoni çdo ditë për të ndihmuar në përmirësimin e shenjave, ndërkohë që po monitorojnë zhvillimin e trupit të vajzës për të parë nëse shenjat do të përhapen.

Megjithatë, pasojat nuk janë vetëm fizike. E ëma e Scarlett-it tha se vajza e saj ndonjëherë është shumë e ndrojtur dhe e shqetësuar për pamjen e saj. “Ajo bëhet shumë e ndrojtur, dhe ndonjëherë e shoh duke u përpjekur ta mbulojë shenjën me bluzë kur jemi në publik, ose kthehet nga shkolla dhe më thotë se një fëmijë tjetër e ka pyetur për të,” shtoi Amanda. Por, ajo siguron vajzën e saj dhe i thotë se nuk ka pse të ndihet në siklet, pasi ishte një aksident i tmerrshëm dhe e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të një gabimi që nuk ishte faji i saj.

Babai i Scarlett-it, Josh Selby, është shumë i shqetësuar për sigurinë e lodrave NeeDoh dhe ka paralajmëruar prindërit që të heqin dorë nga këto lodra, duke pasur parasysh se ato mund të përmbajnë substanca të rrezikshme. “U kam thënë të gjithëve që t’i hedhin, nëse i kanë,” tha ai. “Substanca brenda tyre është si ngjitës, kështu që në thelb ke një ngjitës të nxehtë që shpërthen mbi ty. Sapo të prek lëkurën, nuk ka asnjë mënyrë për ta hequr.”

Prodhuesi i lodrave NeeDoh, “Schylling Toys”, ende nuk ka dhënë një reagim publik në lidhje me incidentin. Në faqen e tij të internetit, ata kanë një paralajmërim për të mos ngrohur, ngrirë ose vendosur lodrat në mikrovalë, pasi mund të shkaktojnë lëndime personale. Po ashtu, TikTok ka paralajmëruar në faqen e tij se nuk lejon promovimin e aktiviteteve dhe sfidave të rrezikshme që mund të çojnë në lëndime të rënda fizike.