Ukrainasit luftojnë ashpër për Bakhmutin

Trupat e mbrojtjes së Ukrainës janë përballur me një valë të re sulmesh ruse në qytetin lindor të Bahmutit, prej ku beteja për kontrollin e këtij qyteti lindor ukrainas ka sjellë pasoja të mëdha njerëzore për të dyja palët.

Stafi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura raportoi se forcat ruse kryen 102 sulme brenda dhe rreth Bakmutit, në një përpjekje për të rrethuar qytetin. Përveç kësaj, luftime të ashpra u zhvilluan edhe në pjesë të tjera të rajonit të Donjeckut, duke përfshirë qytetet Liman, Avdijivka dhe Shaktarsk.

Në Rubizhni, rajon fqinj i Luhanskut, ushtria ukrainase akuzoi forcat ruse se po përdornin civilët si mburojë njerëzore. Stafi i Përgjithshëm raportoi se ushtarët rusë fshiheshin pas popullsisë civile, me trupat e okupimit të strehuara në katin e parë dhe të dytë ndërsa civilët ishin lënë të jetojnë mbi to.

Luftimet e fundit erdhën pas një vale sulmesh ruse në Ukrainë që vranë të paktën nëntë civilë dhe ka shkaktuar dëme në infrastrukturën e energjisë elektrik. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për terrorizmin e civilëve.

Rusia tha se sulmet në objektivat civile ukrainase ishin një “goditje masive” në përgjigje të një “sulmi terrorist” të organizuar nga Ukraina në rajonin Bryansk të Rusisë, që kufizohet me Ukrainën, javën e kaluar.

Kievi zyrtar e mohon çdo përfshirje dhe thotë se Moska mund të jetë duke kërkuar dhe shpikur arsye për të zhvilluar sulme të reja në Ukrainë. Rusia konfirmoi se përdori raketa hipersonike Kinzhal në valën e sulmeve të 9 marsit, të cilat shkaktuan ndërprerje të energjisë në të gjithë vendin.