Rusia akuzoi Ukrainën se sulmoi Kremlinin me dronë gjatë natës, në një përpjekje të dështuar për të vrarë Presidentin Vladimir Putin. Kjo është akuza më e fortë që Moska ka ngritur kundër Kievit, që nga sulmi ndaj vendit fqinj, më shumë se 14 muaj më parë.
Këshilltari i presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podolyak u shpreh se Kievi nuk kishte të bënte me asnjë sulm me dron ndaj Kremlinin dhe se një veprim i tillë nuk nuk do të kishin asnjë ndikim për Kievin në fushën e betejës, por vetëm sa do të provokonte Rusinë, për të ndërmarrë veprime më radikale.
Në komentet e bëra për agjencinë e lajme ‘Reuters’Podolyak tha se pretendimi se Kievi qëndron pas sulmit si dhe arrestimi nga Rusia i sabotatorëve të dyshuar ukrainas, janë një tregues se Moska po përgatitet për një sulm ‘terrorist’ në shkallë të gjerë kundër Ukrainës në ditët në vijim.
“Sigurisht që Ukraina nuk ka asnjë lidhje me sulmet me dronë ndaj Kremlin. Ne nuk e sulmojmë Kremlinin sepse para së gjithash një gjë e tillë nuk ofron asnjë zgjidhje të natyrës ushtarake”, tha Podolyak.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se nuk mundi të verifikojë njoftimet e Kremlinit. “Do ta merrja gjithçka që del nga Kremlini me një dozë shumë të madhe dyshimi”, tha ai. Autoritetet ruse thanë se gjatë sulmit të supozuar ndaj rezidencës së Presidentit Putinit, ishin përdorur dy dronë, të cilët arritën të asgjesohen nga mbrojtja elektronike e Kremlinit.
‘Baza’, një kanal në rrjetin social Telegram, me lidhje me agjencitë ruse të zbatimit të ligjit, postoi një video, ku shfaqej një objekt fluturues tek i afrohej një prej godinave të Kremlinit, me pamje nga Sheshi i Kuq. Pamjet duket se tregojnë më pas një shpërthim të objektit fluturues përpara se t’i afrohet objektit. Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ nuk ka arritur të verifikojë ende vërtetësinë e videos.
Agjencia ruse e lajmeve ‘RIA’ tha se Presidenti Putin nuk kishte qenë në Kremlin në atë kohë dhe se po punonte në rezidencën e tij ‘Novo Ogaryovo’, që ndodhet jashtë Moskës.