Eshtrat e një vajze të re, e zhdukur prej nëntë vitesh, janë gjetur nga policia spanjolle pas një muri në një apartament. 22-vjeçarja Sibora Gagani u zhduk nëntë vjet më parë pasi u nda me të dashurin e saj, por policia e Torremolinos hoqi dorë nga kërkimi pasi nuk gjeti asgjë.
Megjithatë, ish-partneri i saj u arrestua muajin e kaluar për vrasjen e partneres së tij aktuale, e njohur vetëm si Paola. Konkretisht autori Marco Gaio Romeo u arrestua më 17 maj për vrasjen e Paolës, 28-vjeçares nga Italia, pasi u pa teksa hynte dhe dilte nga shtëpia e saj.
Paola dyshohet se u godit 14 herë me thikë nga Romeo, babai i një prej tre fëmijëve të saj. Me të mbërritur në komisariatin e qytetit, ai ka parë në një tabelë njoftimi nga zhdukja e saj në 7 korrik 2014 foton e gruas italo-shqiptare dhe dyshohet se ka pranuar vrasjen e saj.
Sipas një deklarate nga një zyrtar i qeverisë, ai pretendoi se kishte lyer eshtrat e 22-vjeçaret me acid përpara se t’i vendoste në një kuti brenda murit. Menjëherë më pas policia ka rihapur hetimet për Sibora Gaganin.
Autoritetet inspektuan apartamentin në papafingo ku çifti jetonte së bashku përpara zhdukjes. Banesa tashmë ishte kontrolluar edhe atëherë, por askush nuk mendonte se mund të gjendej e fshehur në mur.
Por tani, ata vunë re se linjat në pllakat e dyshemesë në të dy anët e murit ishin të paqëndrueshme, ato nuk përputheshin.
Policia përdori një sistem me rreze X dhe kështu zbuloi një kuti druri, të fshehur mes dy mureve që dukej se ishte një. Brenda kutisë gjetën eshtrat e një kufome të shpërndarë në çanta, por edhe një buqetë me lule.