Turqia në flakë! Përplasje të dhunshme në Stamboll pas arrestimit të Imamoglu

Përplasje mes protestuesve dhe policisë në Stamboll pas arrestimit të Imamoglu

Nata e katërt e protestave në Stamboll është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, pas arrestimit të kryetarit të bashkisë, Ekrem Imamoglu.

Përplasjet ndodhën të shtunën mbrëma pranë Kuvendit Komunal të Stambollit, ku qindra qytetarë u mblodhën për të kundërshtuar ndalimin e liderit opozitar. Një tjetër turmë protestuesish u grumbullua pranë gjykatës, ku Imamoglu u mor në pyetje për rreth pesë orë nga prokurorët.

Kryetari i Bashkisë së Stambollit, i cili shihet si rivali kryesor politik i Presidentit Recep Tayyip Erdogan, po përballet me akuza për korrupsion dhe lidhje me organizata terroriste. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si një sulm politik ndaj tij.

Arrestimi i tij ka shkaktuar protesta masive në disa qytete të Turqisë, duke çuar në arrestimin e 343 protestuesve vetëm gjatë mbrëmjes së së premtes. Situata në Stamboll mbetet e tensionuar, ndërsa mbështetësit e Imamoglus vazhdojnë të kërkojnë lirimin e tij.