Turqia arreston mbi 300 protestues pas ndalimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu

Autoritetet turke kanë arrestuar 343 persona gjatë protestave të mbajtura në disa qytete të vendit, pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Ministria e Brendshme turke njoftoi më 22 mars se protestat u zhvilluan në dhjetëra qytete, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë, ndërsa policia ndërhyri duke ndaluar demonstruesit për të “parandaluar prishjen e rendit publik”.

Sipas autoriteteve, çdo përpjekje për të krijuar “kaos dhe provokim” do të ndëshkohet. Megjithatë, arrestimi i Imamoglut ka shkaktuar reagime të ashpra nga Partia Popullore Republikane (CHP), e cila e cilësoi atë të motivuar politikisht. Partia opozitare u ka bërë thirrje mbështetësve të vazhdojnë protestat në mënyrë të ligjshme.

Ekrem Imamoglu, 54 vjeç, u arrestua në një moment kritik, ndërsa CHP-ja po përgatitej ta shpallte atë kandidat presidencial të dielën. Për të kundërshtuar ndalimin e tij, partia ka ftuar qytetarët të votojnë në kutitë e vendosura në të gjithë vendin, si një shenjë e rezistencës publike.

Në Turqi, zgjedhjet e ardhshme presidenciale pritet të mbahen më 2028. Megjithatë, ka spekulime se presidenti Recep Tayyip Erdogan, 71 vjeç, mund të shpallë zgjedhje të parakohshme për të shmangur kufizimin prej dy mandatesh, nëse vendos të kandidojë sërish. Situata politike në vend vazhdon të mbetet e tensionuar, me një përplasje të fortë mes qeverisë dhe opozitës.