Turqi, mbi 600 persona të helmuar nga qebapi, arrestohen pronarët e restorantit
Në provincën e Kocaelit në Turqi, më shumë se 600 persona janë helmuar pas konsumimit të qebapit në një restorant të njohur të zonës. Pas shfaqjes së simptomave të helmimit ushqimor, të prekurit u drejtuan në spitale të ndryshme për trajtim. Sipas mediave lokale, 646 pacientë u liruan menjëherë pas trajtimit, ndërsa dy të tjerë iu nënshtruan analizave të mëtejshme. Fatmirësisht, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.
Të gjithë personat e helmuar kanë raportuar të përziera dhe dhimbje të forta stomaku pas konsumimit të qebapit të pulës. Incidenti ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve, të cilat ndërhynë menjëherë për të hetuar rastin. Gjatë inspektimeve në restorant, u zbuluan shkelje të rënda të standardeve bazë të higjienës, çka solli arrestimin e dy pronarëve të restorantit.
Ky incident ka ngjallur shqetësim të madh për sigurinë ushqimore në zonën, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime të thelluara për të përcaktuar shkaqet e helmimit dhe për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.