Trump në gjykatë të martën për dokumentet sekrete të gjetura në shtëpinë e tij
Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të ballafaqohet në gjykatë të martën me akuzat për mbajtje të paautorizuar të dokumenteve sekrete. Kjo është hera e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, që ndaj një ish-presidenti të ngrihen akuza federale. Ngritja e aktpadisë ka shkaktuar debate që sa vijnë e intensifikohen, kryesisht përgjatë linjave partiake.
Debatet publike po ziejnë në prag të daljes së zotit Trump para një gjykate në Florida të martën lidhur me aktpadinë e fundit. Ai përballet me 37 akuza, përfshirë pretendimet për mbajtje të qëllimtë të dokumenteve sekrete të mbrojtjes, konspiracion, pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme.
“Ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është hera e parë në historinë amerikane që ndaj një ish-presidenti ngrihen akuza federale. Nga perspektiva ligjore, muret rreth ish-presidentit Trump po mbyllen”, thotë James Sample, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Hofstra.
Senatori republikan Lindsey Graham tha gjatë emisionit “This Week” të kanalit ABC, se akuzat janë përpjekje, siç tha ai, për ta ‘delegjitimuar’ ish-presidentin.
“Akuzat për spiunazh nuk do ta ndryshojë mbështetjen time për Donald Trump-in. Ai është i pafajshëm derisa të provohet fajtor. Shumica e republikanëve besojnë se ligji tani është një mjet politik”
Nuk ka asnjë provë që hetimi i dokumenteve sekrete, i drejtuar nga prokurori i posaçëm Jack Smith, po përdoret politikisht, tha për rrjetin ABC senatori demokrat Chris Coons.
“Edhe pse Presidenti Trump kaloi në ofensivë mbrëmë, ka sulmuar Departamentin e Drejtësisë, ka bërë thirrje për heqjen e fondeve për FBI-në. Mbetem i bindur se ai do të përballet me procesin e duhur ligjor që i takon. Përfundimisht, një juri e përbërë nga qytetarë amerikanë do të përcaktojë nëse akuza është e drejtë dhe nëse ai ka shkelur apo jo ligjin”.
Zoti Trump njoftoi në rrjetin e tij Truth Social për ngritjen e akuzave, duke shkruar me shkronja të mëdha se ishte i pafajshëm. Asnjë ish-president amerikan nuk është përballur me akuza federale.