Trump: Do të dërgoj më shumë armë në Ukrainë, nuk jam aspak i kënaqur me Putin

Presidenti  Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja do të dërgojë armë shtesë për Ukrainën, duke e quajtur këtë një domosdoshmëri për të ndihmuar popullin ukrainas në përballje me ofensivën e ashpër ruse.

“Do të dërgojmë më shumë armë. Duhet ta bëjmë”, tha Trump të dielën në mbrëmje gjatë një darke me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. “Kryesisht armë mbrojtëse, por ata po goditen shumë, shumë rëndë. Duhet të jenë në gjendje të mbrojnë veten. Shumë njerëz po vdesin në atë rrëmujë.”

Kjo deklaratë e presidentit Trump vjen vetëm pak ditë pasi Pentagoni shpalli një pauzë në disa dërgesa armësh për Kievin, për shkak të shqetësimeve se rezervat amerikane po pakësohen ndjeshëm. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë janë përpjekur të distancojnë presidentin nga ky vendim, duke e cilësuar si “një rishikim rutinë të furnizimeve ekzistuese të armëve”. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi të hënën se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte urdhëruar Pentagonin të ndërmarrë një rishikim të furnizimeve për të siguruar që gjithçka përputhet me interesat strategjike të SHBA-së.

Në prapaskenë, burime diplomatike i thanë “Kyiv Post” se Trump kishte pyetur këshilltarët e tij rreth përshpejtimit të dërgesave të sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën. Ky diskutim thuhet se pasoi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky më 4 korrik, të cilën Trump e quajti “strategjike”, pa zbuluar detaje. Trump gjithashtu shprehu zhgënjim ndaj presidentit rus Vladimir Putin pas mungesës së përparimit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Jam i zhgënjyer, sinqerisht, që presidenti Putin nuk është ndalur”, tha Trump.

Ndërkohë, ligjvënësit republikanë që mbështesin Ukrainën e kanë përshëndetur këtë angazhim të Trump. “Kjo është përgjigjja absolutisht e duhur pasi Putin bombardon qytetet ukrainase çdo natë”, shkroi në rrjetet sociale kongresmeni Don Bacon. Megjithatë, analistët paralajmërojnë për përçarje të brendshme në administratën Trump. Scott Cullinane, bashkëthemelues i Aleancës SHBA-Evropë, theksoi se: “Administrata Trump dhe lëvizja MAGA nuk janë të unifikuara për politikën ndaj Ukrainës.”

Analisti i sigurisë Colby Badhwar vlerësoi se një përmbushje e angazhimeve ekzistuese të administratës Biden do të ishte “një fillim i mirë”, ndërsa theksoi se miratimi i shitjes së sistemeve Patriot për Ukrainën do të ishte një zhvillim pozitiv. Në fund të ditës së hënë, Pentagoni konfirmoi se, sipas udhëzimeve të presidentit Trump, do të dërgojë armë shtesë mbrojtëse në Ukrainë “për të mbrojtur popullin ukrainas dhe për të nxitur paqen e qëndrueshme”, sipas deklaratës së zëdhënësit kryesor të Pentagonit, Sean Parnell.