Trump apo Biden? Elon Musk tregon nëse mbështet dikë mes tyre

Miliarderi Elon Musk, CEO i kompanisë së teknologjisë së hapësirës ajrore SpaceX dhe prodhuesit të automjeteve Tesla, si dhe pronar i platformës së rrjeteve sociale X (ish Twitter), tha sot se nuk do të mbështesë financiarisht fushatën zgjedhore as të republikanit Donald Trump dhe as të demokratit Joe Biden. para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Trump u takua disa ditë më parë në Florida me Musk, njeriun e dytë më të pasur në botë, sipas Bloomberg.

Në një postim në Platformën X, Elon Musk tha: “Për të qenë absolutisht i qartë: Unë nuk po i dhuroj para asnjërit prej kandidatëve për presidencën e Shteteve të Bashkuara”.

Më herët gjatë ditës së sotme, Nikki Haley njoftoi se do të tërhiqet nga gara për nominim republikan. Prandaj, demokrati 81-vjeçar Joe Biden dhe 77-vjeçari republikan Donald Trump do të përballen në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Në vitin 2022, përpara zgjedhjeve afatmesme në SHBA, Elon Musk u kishte kërkuar votuesve amerikanë që t’u jepnin republikanëve kontrollin e Kongresit. Në fund të fundit, Partia Republikane siguroi një shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa demokratët e Presidentit Biden ruajtën kontrollin e Senatit.