Tragjedia në La Mansh , Franca akuzon personelin ushtarak
Policia franceze ka akuzuar pesë ushtarë për vdekjen e 27 personave që u mbytën teksa tentonin të kalonin Kanalin Anglez më 24 nëntor 2021.Ata akuzohen se lanë qëllimisht emigrantët të mbyteshin ne det. Rreth 15 thirrje nga emigrantët të dërguara drejt autoriteteve u injoruan, raportojnë mediat franceze. Emigrantët ishin kryesisht kurdë irakianë dhe të moshës 7 deri në 46 vjeç.
Lajmi u mirëprit nga një zëdhënës i “Utopia 56”, një organizatë që përfaqëson emigrantët. “Ne mund të jemi vetëm të kënaqur që gjërat po përparojnë”, tha Flore Judet. Anija e vogël u mbyt pak pasi u largua nga bregu francez, duke çuar në vdekjen e të gjithë emigrantëve. Gazeta Le Monde në atë kohë raportoi se pasagjerët kishin kontaktuar fillimisht me zyrtarët në qendrën e shpëtimit në Kanalin e La Manshit pasi varka po merrte ujë dhe motorri kishte pësuar defekt.
Ata dërguan vendndodhjen e tyre me WhatsApp, por autoritetet nuk u përgjigjën. Ekipet e shpëtimit u përgjigjën 10 orë më vonë, pasi peshkatarët ngritën alarmin. Në atë kohë Organizata Ndërkombëtare e OKB-së për Migracionin e cilësoi humbjen e emigrantëve si fatkeqësinë më të madhe.
Në nëntor 2022, një 32-vjeçar u paraqit në një gjykatë në Londër në lidhje me katastrofën, pasi u akuzua se ishte pjesë e një grupi kontrabandistësh që transportonin emigrant të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar. Harem Ahmed Abëbaker pretendohej se u kishte ofruar para familjeve të emigrantëve që u mbytën për të qëndruar në heshtje. Qershorin e kaluar, policia franceze arrestoi 15 persona kryesisht nga Afganistani të cilët akuzohen se ishin pjesë e një rrjeti kontrabandë të përfshirë në këtë tragjedi.