Tragjedi pas tragjedie! Mianmari nuk gjen qetësi, pas tërmetit mendohet dhe për …
Pavarësisht bilancit të rënduar nga tërmeti 7.7 ballë, Mianmari, po përballet me një tjetër fatkeqësi. Ushtria vazhdon ende luftën ndaj civilëve.
Një lëvizje e armatosur që i rezistonte regjimit ushtarak të Mianmarit u ankua të dielën se forcat e armatosura po vazhdonin të bombardonin komunitetet, edhe pse vendi po përballej me shkatërrime pas një tërmeti 7.7 ballë që shkaktoi dëme të mëdha dhe la të paktën 1700 të vdekur.
Unioni Kombëtar Karen (KNU), një nga organizatat më të vjetra rebele në Mianmar, theksoi në një deklaratë se junta “vazhdon sulmet ajrore duke synuar zonat ku jetojnë civilët, edhe pse popullsia po vuan tmerrësisht për shkak të tërmetit”.
Ai shtoi se në vend që t’i japë përparësi operacioneve të ndihmës, ushtria po zgjedh të “dislokojë forca për të sulmuar popullin e saj”.
Mianmari mbetet i zhytur në konfliktin civil, i cili u transformua nga protestat masive të opozitës pas grushtit të shtetit të 1 shkurtit 2021, kur ushtria mori pushtetin, duke përmbysur qeverinë e zgjedhur, kandidat për Çmimin Nobel për Paqe, Aung San Suu Kyi.
Disa orë pas tërmetit shkatërrues të së premtes, avionë dhe dronë filluan sulmet në shtetin Karen, pranë selisë së KNU, sipas një organizate ndihmash pranë opozitës.
Ministri i Jashtëm i Singaporit, Vivian Balakrishnan bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave, pas një takimi me videokonferencë me homologët e tij në ASEAN për tërmetin.
Z. Balakrishnan “bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe efektiv në Mianmar” për të “lehtësuar dërgimin e ndihmave humanitare” dhe për të promovuar “pajtimin afatgjatë kombëtar” për të kthyer “paqen” dhe “rindërtuar” vendin, sipas një deklarate nga zyra e tij.
Epiqendra e tërmetit ishte në një zonë nën kontrollin e forcave të regjimit ushtarak. Por dëmet materiale ishin të mëdha.
Qeveria e mërguar e unitetit kombëtar, e cila përfshin elementë të qeverisë së rrëzuar në vitin 2021, njoftoi se luftëtarët e opozitës nën komandën e saj po pezullonin për dy javë veprimet e tyre sulmuese.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se disa organizata rebele kanë pezulluar operacionet e tyre, ndërsa të tjera vazhdojnë armiqësitë. Regjimi gjithashtu po vazhdon sulmet ajrore, shtojnë ata. Për më tepër, ushtria, e cila normalisht do të merrte pjesë në operacionet e ndihmës në zonat e goditura nga tërmeti, është “e padukshme”, theksojnë disa ekspertë.