Tragjedi nga moti ekstrem në SHBA! Të paktën 16 viktima nga stuhitë dhe tornado
Stuhitë e fuqishme që kanë përfshirë pjesën qendrore dhe lindore të Shteteve të Bashkuara kanë shkaktuar të paktën 16 viktima, ndërkohë që dëmet materiale janë të mëdha. Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar për përkeqësim të mëtejshëm të situatës dhe vërshime të mëdha në ditët në vijim.
Shteti më i goditur është Tenesi, ku autoritetet konfirmuan se dhjetë persona kanë humbur jetën si pasojë e kushteve ekstreme të motit. Ndërkaq, dy persona kanë ndërruar jetë në Kentaki për shkak të përmbytjeve, ndër ta edhe një fëmijë. Viktima janë shënuar gjithashtu në Misuri dhe Indiana.
Tornado dhe stuhitë e fuqishme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë – me shtëpi të shkatërruara, rrugë dhe linja hekurudhore të bllokuara, dhe mijëra pemë të rrëzuara. Fotografitë nga terreni tregojnë një panoramë shkatërrimi në disa shtete, përfshirë Arkansasin dhe Ohi-on. Më shumë se 100,000 persona kanë mbetur pa energji elektrike në Arkansas dhe Tenesi.
Ekspertët paralajmërojnë se ngrohja globale po luan një rol kyç në rritjen e frekuencës dhe intensitetit të fenomeneve të motit ekstrem. Vitin e kaluar, SHBA regjistroi temperatura rekord dhe u përball me një numër të pazakontë tornadosh dhe uraganesh.