Tragjedi në Nju Meksiko, tre të rinj vriten në sulm me armë, 14 të plagosur
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Las Cruces, Nju Meksiko, ku tre të rinj janë vrarë dhe 14 persona të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri. Ngjarja ndodhi të premten në mbrëmje, rreth orës 22:00, në Young Park.
Sipas autoriteteve, viktimat janë dy 19-vjeçarë dhe një 16-vjeçar. Ndërsa të plagosurit janë të moshës 16-36 vjeç. Ata janë transportuar në spitalet lokale dhe disa prej tyre në Qendrën Mjekësore Universitare të El Pasos.
Policia nuk ka bërë ende arrestime, por ka deklaruar se po ndjek disa pista hetimi për të zbardhur ngjarjen. Ende nuk dihen motivet e sulmit dhe autorët e dyshuar.
Hetimet po vijojnë, ndërsa komuniteti lokal është tronditur nga kjo ngjarje e rëndë me pasojë viktima të shumta.