Tragjedi në Napoli! Këputet kabulli i teleferikut, humbin jetën katër turistë – një i plagosur rëndë

Një ngjarje tragjike ka tronditur Italinë jugore këtë të enjte, pasi një kabinë teleferiku u shkëput dhe ra në tokë në një zonë malore pranë Napolit, duke shkaktuar vdekjen e katër personave dhe plagosjen e rëndë të një tjetri.

Sipas shërbimeve të emergjencës, në momentin e aksidentit në kabinë ndodheshin pesë persona. Katër prej tyre humbën jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa një i plagosur është në gjendje kritike dhe po transportohet me helikopter drejt spitalit.

Mediat italiane raportojnë se një nga kabllot që mbante kabinën është këputur teksa teleferiku po kalonte mbi një luginë në një lartësi prej 1500 metrash mbi nivelin e detit, duke bërë që kabina të bjerë me forcë në terren të thyer.

Presidenti i rajonit të Campania-s, Vincenzo De Luca, konfirmoi se viktimat ishin turistë. Ai theksoi gjithashtu se operacionet e kërkim-shpëtimit po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të mjegullës së dendur, erës së fortë dhe reshjeve të shiut, që po pengojnë ndërhyrjen në zonën e thellë malore ku ndodhi aksidenti.

Më herët gjatë ditës, disa kabina të tjera të teleferikut kishin mbetur pezull për shkak të ndalimit të sistemit. Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë për të shpëtuar personat që ndodheshin në njërën prej tyre.