Tragjedi në Çeki! Gjashtë viktima nga shpërthimi i propanit në një restorant, 8 të plagosur
Një shpërthim tragjik ka ndodhur në qytetin veriperëndimor të Mostit, në Çeki, ku një cilindër propani shpërtheu në një restorant, duke i vënë flakën ndërtesës. Shpërthimi ka shkaktuar gjashtë viktima dhe ka plagosur tetë persona, ndërsa rreth 30 persona janë evakuuar nga restoranti dhe ndërtesat përreth.
Sipas shërbimeve të emergjencës, shpërthimi ndodhi pasi një zjarr u shkaktua nga përmbysja e një sobe në zonën e restorantit. Tragjedia ka shkaktuar panik dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të ndërtesës.
Zjarrfikësit raportuan se arritën të shpëtonin një person të plagosur rëndë, i cili ishte bllokuar në një tualet brenda restorantit. Autoritetet kanë konfirmuar se në momentin e shpërthimit ndodheshin rreth 20 klientë në restorant.
Të plagosurit janë transportuar në spital për trajtim, ndërsa autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e sakta të shpërthimit dhe për të vlerësuar sigurinë në zonë.
Shërbimi çek i shpëtimit nga zjarri ka bërë thirrje për kujdes dhe ka paralajmëruar rreth rrezikut të cilindrave të gazit, sidomos në ambientet e mbipopulluara.