Tragjedi në aeroport! Foshnja e porsalindur gjendet e pajetë në një kosh plehrash nga sanitarja
Një ngjarje e rëndë ka tronditur aeroportin ndërkombëtar Chhatrapati Shivaji Maharaj në Mumbai, Indi, ku një foshnjë e porsalindur u gjet e vdekur brenda një koshi plehrash në tualetin pranë portave të imbarkimit.
Sanitarja që zbuloi trupin e pajetë njoftoi menjëherë autoritetet, ndërsa policia mbërriti në vendngjarje dhe transportoi foshnjën drejt spitalit më të afërt, ku mjekët konfirmuan vdekjen. Trupi më pas u dërgua për autopsi në spitalin Cooper, në mënyrë që të përcaktohet shkaku i saktë i vdekjes.
Policia ka nisur një hetim të gjerë për të identifikuar prindërit apo personin përgjegjës për këtë akt të rëndë. Për këtë arsye, janë duke u analizuar pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë, ndërsa autoritetet kanë nisur bashkëpunimin me linjat ajrore për të marrë listat e pasagjerëve që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit.
Një nga pistat e hetimit është edhe mundësia që foshnja të jetë braktisur jo nga një pasagjer, por nga një punonjës i aeroportit. Policia vijon kërkimet për të gjetur “prindërit e panjohur”, ndërsa rasti është konsideruar prioritar për autoritetet.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Indi, ku raste të braktisjes së foshnjave, sidomos vajzave, janë raportuar edhe më parë, shpesh për shkak të kushteve të vështira ekonomike apo normave sociale të caktuara.